Koreja e Veriut lëshoi disa raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në ujërat e saj lindore të hënën, në mes të vizitës së Sekretarit të Shtetit të SHBA Antony Blinken në Seul për një samit të demokracisë.
Shefat e Përbashkët të Shtabit të Koresë së Jugut raportuan zbulimin e “disa” lëshimeve të dyshuara të raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi nga Koreja e Veriut të hënën në mëngjes.
Kryeministri japonez Fumio Kishida tha në një seancë parlamentare se raketat e Koresë së Veriut ranë në ujërat midis Gadishullit Korean dhe Japonisë.
Nuk raportohet për dëme apo lëndime.
Departamenti Amerikan i Shtetit kritikoi lëshimet e raketave , duke i quajtur ato një kërcënim për sigurinë e rajonit.
Ky qëndrim i fundit ushtarak nga Pheniani vjen ndërsa Blinken po vizitonte Seulin për të marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol.
Blinken është planifikuar gjithashtu të zhvillojë bisedime me homologun e tij koreano-jugor në margjinat e Samitit të tretë për Demokracinë në Seul.
Samiti është një iniciativë e presidentit amerikan Joe Biden, e fokusuar në eksplorimin e strategjive për të ndaluar rënien globale të demokracisë dhe erozionin e të drejtave dhe lirive.
Takimi, i cili do të zgjasë nga 18 deri më 20 mars, do të presë zyrtarë qeveritarë, OJQ dhe anëtarë të shoqërisë civile.
Udhëtimi i sekretarit amerikan të shtetit përfshin takime me zyrtarë të Koresë së Jugut dhe synon të përforcojë aleancat./DW