Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin për ‘Zonat e Mbrojtura’ i cili u votua në Kuvend në 22 shkurt vetëm me votat e mazhorancës.
Ky ligj i hap rrugë ndërtimeve ekologjike për t’i vënë në shërbim të ekonomisë.
‘Presidenti i Republikës, Sh. T. Z Bajram Begaj, dekretoi sot ligjin nr. 21/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura””.
Për shkak se ligji u shoqërua me komente dhe kritika në fazën e shqyrtimit dhe miratimit të tij, sidomos nga grupet përfaqësuese të organizatave mjedisore, Presidenti i Republikës ndërmori një sërë konsultash dhe zgjeroi procedurën e shqyrtimit me përfshirjen dhe tërheqjen e opinioneve nga grupet e interesit, por edhe nga ekspertë kushtetues.
Organizatat e shoqërisë civile shohin te ligji risk potencial për mbrojtjen e mjedisit, i cili mund të shkaktohet nga zbatimi i gabuar i dispozitave të tij.
Ekspertët kushtetues të thirrur në konsultë dhe Institucioni i Presidentit të Republikës nuk e shohin këtë pretendim si çështje që i përket procedurës për shqyrtimin e kushtetutshmërisë.
Për probleme që mund të konstatohen gjatë implementimit të ligjit mund të vihen në lëvizje mekanizma të tjerë ligjorë mbrojtës, si nga organet eprore/mbikëqyrëse, ashtu edhe nga organizatat mjedisore.” thuhet në njoftimin e Presidencës.