Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka shprehur mbështetjen për diskutimet që janë zhvilluar së fundmi në Bruksel, të cilat trajtuan çështjen e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.
Në një konferencë për mediat, zëvendës-zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel, ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të këtyre bisedimeve me karakter urgjent.
“E mirëpresim takimin e mbajtur në Bruksel brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, përfshirë diskutime për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës. Besojmë se këto diskutime duhet të vazhdojnë me urgjencë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është kanali adekuat për të zgjidhur këto çështje të ndërlidhura me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë,” u shpreh Patel.
Ndërsa theksoi përsëritjen e thirrjeve të SHBA-së për deeskalimin e tensioneve, Patel gjithashtu tregoi se Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta në shprehjen e shqetësimeve për rregulloren e re të BQK-së dhe kanë inkurajuar të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, për të vazhduar dialogun.
Gjatë takimit që u mbajt të martën në Bruksel, ku ishin të pranishëm kryenegociatorët e të dyja shteteve, është diskutuar edhe për temën e “dinarit”. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, informoi se Kosova dhe Serbia janë të angazhuara për të paraqitur propozimet e tyre për këtë çështje deri të premten, ndërsa takimi i ardhshëm është paraparë të mbahet të hënën.
Osmani ka thënë se edhe komuniteti ndërkombëtar pajtohet që ndihma e Serbisë duhet të arrijë në Kosovë në euro dhe jo në dinarë, ndërsa tani autoritetet e Kosovës janë duke shqyrtuar mënyra për të garantuar që ndihma që niset prej Serbisë për komunitetin serb në Kosovë të mos keqpërdoret.