Në Maqedoninë e Veriut edhepse fushata e zgjedhjeve presidenciale akoma nuk ka filluar zyrtarisht, partitë politike dhe pjesëmarrësit në garë po zhvillojnë një retorikë mjaft të ashpër me akuza të rënda ndaj kundërshtarëve politikë.
Ndërkohë që partitë maqedonase shkëmbejnë ofendime për “tradhëtinë ndaj interesave kombëtare”, partitë shqiptare, nga ana tjetër po thellohen në një retorikë që ka në qendër të vëmendjes ndikimin rus në vend.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka për moto “Po Evropës – Jo Rusisë”, teksa thotë që shmangia eventuale e rrugës evropiane të vendit do të përkthehej si rrezik i orientimit drejt Rusisë.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti thekson se Rusia synon të pengojë rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe të shtrijë konfliktin në Ballkanin Perëndimor.
“Rusia ka hyrë në vendin tonë; ka themeluar parti politike, ka themeluar mediume, ka formuar militantë në vendin tonë, që duan ta thyejnë rrugën tonë të përcaktuar fort se ne duam një Ballkan të paqtë. Këtu te ne ka parti të themeluar nga Aleksandar Dugin, që është koka e politikave ruse”, u shpreh zoti Ahmeti në një takim me mbështetësit e partisë së tij. Për më shumë kliko KËTU