Gazeta italiane “La Stampa” ka shkruar për incidentin që ka ndodhur ditën e djeshme mes gazetares Ambrozia Meta dhe kryeministrit të vendit Edi Rama.
Rama iu shmang pyetjes e preku në fytyrë gazetaren duke e shtyrë dhe u largua.
Kryeministri shqiptar Edi Rama shtyn një gazetare që i bën një pyetje për dhëndrin e Trump, shkruan La Stampa, e cila e konsideron veprimin si gjest të dhunshëm.
Gazetarja e pyet dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i zgjat krahun dhe e shtyn. Pastaj ai largohet. Ky gjest, i përjetësuar në një video që tashmë ka ngjallur protesta në rrjetet sociale dhe 150 mijë shikime në X, është shkaktuar nga një pyetje e pakëndshme.
Gazetarja kishte kërkuar informacion mbi një projekt investimi të lidhur me dhëndrin e Donald Trump, Jared Kushner, i cili tashmë ishte kritikuar në orët e fundit për disa deklarata mbi projektet e pasurive të paluajtshme në bregdetin e Gazës.
“Fatkeqësisht, kryeministri Rama tregon arrogancën e tij të zakonshme ndaj gazetarëve. Më vjen keq që kreu i qeverisë nuk është në gjendje të kontrollojë veten kur i kërkohet të trajtojë çështje me interes publik”, shtoi më pas gazetarja.