Pas 12 orëve seancë dhe debat me Lulzim Bashën e përjashtuar, Kuvendi miratoi rendin e ditës që kryefjalë kishte komisionet hetimore që sollën paktin Rama-Berisha. Komisioni Hetimor për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-Up në Shëndetësi u miratua me 95 vota pro dhe një abstenim.
Deputet socialist Erjon Braçe abstenoi. Nuk ka pasur asnjë kundër ndërsa 41 deputetë të pranishëm nuk votuan. Komisioni Hetimor për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit TIMS u miratua me 96 vota pro 1 abstenim. Deputet socialist Petro Koçi abstenoi. Nuk ka pasur asnjë kundër ndërsa 40 deputetë të pranishëm nuk votuan.
Gjithashtu Kuvendi miratoi ndryshimet në buxhet duke kaluar me 71 vota pro dhe 23 kundër aktin normativ. Me rishikimin që ka pësuar buxheti i shtetit qeveria ka shtuar me 7.9 miliardë lekë pritshmëritë për të ardhurat dhe me 6.7 miliardë lekë shpenzimet.
Për Portin e Durrësit këtë vit është parashikuar një fond prej 98 mln eurosh, nga 385 mln gjithsej. Projektligji ”Për sigurinë kibernetike” u miratua me 74 vota pro, 22 kunder. Rrëzohen dy amendamentet e Jorida Tabakut për sigurine kibernetike.
Projektligji “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë” u miratua me 72 vota Pro, 22 kundër, asnjë abstenim! Nuk e votoi Fatmir Xhafaj.
Projektvendimi “për miratimin e disa ndryshimeve në vendimin e Kuvendit nr. 43/2017 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Autoritetit të Konkurrencës””, i ndryshuar u miratua me 74 pro 18 kunder.
Kuvendi miratoi edhe anëtarët e 4 institucioneve.
Me 73 vota pro e 11 kundër Brunilda Tavani u emërua anëtare e bordit të Entit Rregullator të Energjisë.
Me 71 vota pro dhe 18 kundër Keti Luarasi u emërua anëtare e Këshillit të Statistikave si përfaqësuese e organeve të vetëqeverisjes vendore.
Me 71 vota pro dhe 19 kundër Bardhyl Sejdarasi u emërua anëtar i Këshillit të Statistikave.
Me 95 vota pro dhe asnjë abstenim aktori Ndriçim Xhepa u emërua anëtar i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar.