Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se pret nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, të punojë në partneritet me Uashingtonin, në mënyrë që në Kosovë të ketë përparime.
Gjatë një konference të organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës për 25-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, që i dha fund luftës së fundit, Hovenier përsëriti qëndrimin amerikan se rruga e vetme e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike është dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Nuk ka rrugë tjetër dhe posaçërisht zbatimi në mirëbesim dhe i plotë i të gjitha zotimeve që janë bërë nga Kosova në dialog, kjo nuk është e negociueshme. Nga kjo Qeveri e Kosovës, ashtu sikurse edhe nga qeveritë paraprake, presim që të punojë në partneritet me ne, derisa vazhdojnë përpjekjet tona për të ndërtuar një Kosovë prosperuese, multientike dhe të sigurt në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Hovenier.
“Dua të riafirmoj përkushtimin tonë drejt sigurimit që ngjarjet e tmerrshme që kanë ndodhur para 25 vjetësh në Kosovë të mos ndodhin më kurrë. Mbesim të përkushtuar që të mbështesim rolin stabilizues që luhet nga forca e NATO-s, KFOR”, tha Hovenier, duke theksuar se ndërhyrja e NATO-s ishte edhe i domosdoshëm, edhe legjitim “duke marrë parasysh krizën humanitare që bota po shihte në kohë reale”.
Më 24 mars bëhen një çerek shekulli nga nisja e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi. Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndëprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ushtria në kufi, SHBA: Vuçiç e di se forca kundër Kosovës, e papranueshme