Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë të premten se shumica nuk ka vullnet për ta çuar vendin në zgjedhje të reja të parakohshme, sepse “nuk ka arsye” që Qeveria të japë dorëheqje.
“Ky është një rast i rrallë ku të gjitha partitë pajtohen që të shkojnë në zgjedhje, por nuk po arrijnë ta bëjnë këtë gjë”, tha për gazetarët Konjufca, i cili vjen nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Opozita e vendit, përfshirë disa nga partitë më të mëdha si Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i kanë kërkuar së fundmi Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti të japë dorëheqje.
Ato duan largimin e Qeverisë Kurti për shkak të, siç thonë, dështimeve të vazhdueshme të saj, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në politikën e jashtme.