Mirosllav Lajçak, aktualisht i dërguari i posaçëm i bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, pritet të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër. Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet diplomatike se Lajçak do të nisë mandatin në kryeqytetin zviceran, Bern, më 1 shtator të këtij viti.
Ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Lajçakun në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Para katër vjetësh, ish-ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Lajçak ishte emëruar në këtë post. Mandati i tij përfundon në fund të gushtit.
Burimet evropiane thanë se posti i përfaqësuesit të posaçëm për dialogun do të vendoset më vonë, pas rotacionit të një numri të madh të ambasadorëve të BE-së nëpër botë, shkruan REL.