Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj thotë se mos zbatimi i vendimit të kësaj gjykate për mandatin e ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçkaj, është një situatë e pazakontë.
“Është vërtetë një situatë e pazakontë dhe e pamundur për të ndodhur në një shtet demokratik. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën në fakt zbatimin e vetë Kushtetutës. Fjalët janë të tepërta për të dhënë një mesazh më tepër.
Çdo vendim duhet të zbatohet, nuk ka një rrugë tjetër, nuk ka një mekanizëm tjetër dhe arsyeja pse nuk ka një mekanizëm tjetër është sepse është e pamundur të imagjinohet që të mos zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Institucionet të cilat janë të ngarkuara për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të sillen në mënyrë kushtetuese”, tha Zaçaj në një intervistë për Zërin e Amerikës.