Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurisë për tre ish-drejtorët e bashkisë Tiranë, Redian Molla, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha që e ka masën e dytë të sigurisë. Zyrtarët e tjerë janë lënë në detyrim paraqitje.
Gjykata e Posaçme vendosi
Arrest me burg;
Redian Molla
Mariglen Qato
Taulant Tusha
Detyrim paraqitje
Julian Zanan
Albano Janku
Nestor Muhamellari
Elantina Zere
Deborah Keçi
Dosja e SPAK-ut
Ish-drejtorët akuzohen nga SPAK se kanë lehtësuar një skemë korrupsioni që ka mundësuar përfitimin e dhjetëra tenderave publikë nga një kompani private, që dyshohet se zotërohet “de facto” nga Redi Molla dhe Mariglen Qato, i pari ish-drejtor i Ujësjellësit të Tiranës dhe i dyti ish-drejtues i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, aktualisht administrator i ndërmarrjes së Bashkisë, Tirana DC.
Kompania “5D Konstruksion” e cila kontrollohej nga Qato dhe Molla është është regjistruar në pronësinë e Nestor Muhametllarit. Kompania 5D Konstruksion u themelua në vitin 2016 me emrin “Igor Elektrik” dhe e ndryshoi më pas emrin në vitin 2019 në V.A.S. Konstruksion dhe në vitin 2021 në 5D Konstruksion. Të dhënat e bilanceve të kompanisë të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregojnë se të ardhurat e saj ishin në masën 2.2 miliardë lekë [rreth 20 milionë euro] për periudhën nga viti 2016 kur u themelua deri në vitin 2022.
Nga të dhënat e prokurimeve publike, kompania ka fituar 29 kontrata me vlerë të përgjithshme prej 1.8 miliardë lekësh. Kompania ka fituar tenderë të tjerë përpos këtyre në formën e bashkimit të operatorëve. Tenderi më i madh është fituar në vitin 2022 me objekt “Rehabilitimi i Qendrës së Kinostudios” me vlerë kontrate 414 milionë lekë. Sipas SPAK, Qato dhe Molla e kishin fshehur pronësinë mbi kompaninë 5D Konstruksion përmes ortakëve fiktivë në aktet e regjistrimit.
Nga hetimet e kryera është provuar fakti se në periudhën 2016-2020, gjatë kohës që Redi Molla ka ushtruar funksionin e drejtorit të përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k e zotëruar prej tij, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 procedura prokurimi, të realizuara nga autoriteti kontraktor “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a. Kur Mariglen Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, kompania e zotëruar prej tij ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik katër procedura prokurimi.