Nga data 1 prill 717 mijë të moshuar do t’i tërheqin paratë nga bankomatet. Të gjithë qytetarët do hapin një llogari pa kosto, por janë të detyrueshme për t’u realizuar, pra duhet që të kenë kartën e bankës.
Ermira Pirdeni, aktiviste e moshimit, “ASAG” në një intervistë me skype për “5Pyetjet.al” liston të gjitha problemet dhe sorollatjen që do të sjellë kjo për të moshuarit. Sipas saj, dixhitalizimi për të moshuarit nuk është lehtësi, por kosto.
“Ne teknologjinë e kemi kapur me shpejtësi dhe i vendosim me dhunë disa gjëra, por është një diskordancë mes situatës dhe dixhitalizimit. Bota ka infrastrukturë qytetare, shërbime në komunitet dhe duke i pasur këto, ti merr të dhëna dhe vendosi projektin mbi situatën që ke. Por jo të teket ty papritur të bësh një dixhitalizim dhe të mendosh se i ke arritur të gjitha gjërat.
Jo të gjithë i marrin shërbimet, duhet të kesh një telefon smart. Është konfuzitet i madh. Të moshuarit janë të trembur. Nuk kemi infrastrukturë qytetare që t’i kesh përgatitur të moshuarit në qendra ditore. Unë nuk kam asnjë shërbim të komunitet, asnjë qindarkë nga pushteti lokal për të moshuarit dhe tani më kërkon t’i hyj teknologjisë së lartë. Por nuk është e mundur”.
Çfarë ndodh me atë që nuk kanë hapur një llogari bankare, ku do ta marrin pensionin? “Nuk kemi dëgjuar asnjë të dhënë. Këtu nuk është çështje vetëm se nuk ke shërbime vetëm në komunitet, por as administrata nuk është e trajnuar si të përgjigjet në situata të tjera të papranueshme, si në rastin kur një i moshuar ka probleme. Dixhitalizimi nuk ka qenë lehtësi, por kosto dhe sorollatje për të moshuarit” tha ajo.
Rritjen e pensionet e kanë harruar. “Jo vetëm që nuk ka rritje, por rrinë duke thënë skema e pensioneve, njërën apo tjetrën, por nuk e di sa veta marrin pensionet speciale, një milion, bëjnë qoka me pensionet për disa njerëz që nuk e dimë se çfarë kontributi më të madh kanë dhënë më tepër sesa këto gra që kanë punuar nëpër fabrika. Kanë qenë gjeologët, ata që bënë elektrifikimin, me lëndë toksike, punë monotone me sëmundje profesionale” tha Ermira Pirdeni për “5Pyetjet.al”.