Ditën e sotme hyn në fuqi ligji për lojërat e fatit, të cilat tashmë do të rikthehen sërish në Shqipëri pas një periudhe 5-vjeçare, por vetëm online.
Qeveria në 2019-ën uli qepenat për mbi 4 mijë pika bastesh në të gjithë vendin ndërsa sot ato do të rikthehen por me rregulla të reja.
Në total do të jepen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, 10 licenca për ushtrimin e këtij aktiviteti me periudhë jetë-gjatësie 10 vite.
Në garë për licencën do të marrin pjesë vetëm ato kompani që kanë ushtruar aktivitet në jo më pak se 3 shtete të BE/OECD dhe për jo më pak se 3 vjet.
Subjekti aplikues ose të paktën njëri nga aksionarët duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 miliardë lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit. Po ashtu nuk duhet të kenë ndjekje penale si dhe nuk duhet të mbartin detyrime ta papaguara.
Për të aplikuar kompania duhet të ketë kapital themeltar 40 milionë lekë, ndërkohë tarifa e licencimit për ushtrimin e këtij aktiviteti është 400 milionë lekë.
Për të luajtur online, persona do të regjistrohen me kartën e identitetin në faqen ueb, ose aplikacion, të gjitha transaksionet do bëhen nëpërmjet sistemit bankar dhe organizatorët janë të detyruar që të mbajnë të dhënat e lojtarëve në një regjistër të posaçëm për tre vite.
Sipas qeverisë kjo është një masë për të kontrolluar paratë që do të qarkullojnë në këtë aktivitet.