Ish-kryeministri Sali Berisha nga dritarja e protestës për izolimin e tij në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar deklaroi se gjaku i martirëve të 2 Prillit 1991 duhet të na frymëzojë në një betejë të fuqishme për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë.
Po ashtu, Berisha hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe vëllait të tij, Olsi Rama.
Një pjesë nga fjalimi:
Këto ditë u rikthye përsëri në skenë Olsi Rama, si bashkëpunëtori ndër më aktiv i grupit të Xibrakës. Me fakte, me dokumente, të gjitha të provuara.
E provuar se Olsi Rama drekonte dhe darkonte me Genci Xhixhën, Gentian Gjonajn, Ermal Hoxhën e të të tjerë. E provuar dhe e faktuar se me makinën e tyre, me makinën e grupit të drogës, Olsi Rama ka kaluar kufirin 18 herë. Ka hyrë në Shqipëri dhe ka dalë jashtë 18 herë.
E faktuar se ditën e arrestimit të dështuar të grupit, ai ka kaluar kufirin me makinë pa targa në Morinë. E faktuar se Genci Xhixha, kryetrafikanti me bazë në Kubë ishte paditur nga organet ligjzbatuese gjatë qeverisjes sonë për larje parash, bashkë me nënën e vet, bashkëpunëtore e afërt e Edi Ramës.
Të gjitha këto janë të faktuara, por megjithatë prokurorët e partisë injoruan të gjitha këto dokumente. I fshehën këto dokumente, nuk i çuan në gjykatë këto dokumenta dhe ai shkoi në dosje si bashkëpunëtori i paidentifikuar.
Olsi Rama, të kemi identifikuar ne dhe gjithë Shqipëria, ti je një trafikant kriminel dhe do marrësh atë që meriton bashkë me vëllanë tënd që të mbron.