5 oficerë janë shkarkuar nga detyra pas vrasjes së një 28-vjeçareje më 1 prill, jashtë komisariatit Agioi Anargyroi, në veri të Athinës.
E ndjera Kyriaki Griva, 28 vjeç, shkoi në komisariat mbrëmjen e 1 prillit, pasi kishte frikë për jetën e saj sepse kërcënohej nga ish-partneri.
Ajo ka qëndruar brenda komisariatit të Agioi Anargyroi për tetë minuta dhe pasi është larguar ka telefonuar policinë për të kërkuar një makinë për ta shoqëruar në shtëpi.
Në lidhjen telefonike të raportuar nga mediat greke, agjenti i centralit i tha gruas se “makina e policisë nuk është taksi”, dhe se nuk mund ta shoqëronte në shtëpi, por mund të dërgonte direkt një patrullë policie në shtëpinë e gruas.
Teksa po zhvillohej biseda, ish-partneri ka arritur te gruaja jashtë komisariatit dhe e ka goditur me thikë disa herë për vdekje.