Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar të shtunën Iranin të mos i sulmojë trupat dhe bazat amerikane në Lindjen e Mesme, pasi Teherani po planifikon t’i përgjigjet një sulmit të dyshuar izraelit nga i cili u vranë shtatë ushtarakë iranianë më 1 prill.
Mohammad Jamshidi, zëvendësi i shefit të zyrës së presidentit iranian tha më 5 prill se Irani i kishte thënë Uashingtonit në një mesazh me shkrim “të qëndrojë larg” Izraelit, ose ndryshe rrezikon të “lëndohet”.
“Në përgjigjen e saj, SHBA-ja i kërkoi Iranit të mos i sulmojë objektet amerikane”, shkroi Jamshidi në rrjetin social X.
I pyetur nga Radio Evropa e Lirë rreth komenteve të Jamshidit, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) i hodhi poshtë pretendimet e tij.
“Ne nuk i ‘kërkuam’. Ne iu përgjigjem duke e paralajmëruar Iranin të mos e përdorë këtë si pretekst për t’i sulmuar objektet dhe personelin amerikan”, tha zëdhënësi i DASH-it.
Një ndërtesë, për të cilën Irani tha se ishte pjesë e Ambasadës së vet në kryeqytetin sirian Damask, u shkatërrua nga një sulm i dyshuar izraelit më 1 prill.
Shtatë pjesëtarë të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), përfshirë dy gjeneralë, u vranë.
Izrael – sipas praktikës së vet të zakonshme – nuk e ka komentuar sulmin.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, u zotua për hakmarrje pas sulmit, duke thënë se Izraeli do të “ndëshkohet nga duart e burrave tanë guximtarë”.