Arben Taravari , kandidati për president të Maqedonisë së Veriut nga koalicioni opozitar VLEN, thotë se e ka prioritet kryesor përshpejtimin e integrimit evropian të vendit.
“Në rast se fitoj në zgjedhje, çështja e parë që do të kërkoja nga mandatari për formimin e Qeverisë së re, pas zgjedhjeve, më 8 maj, do të ishte përshpejtimi i ndryshimeve kushtetuese, për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, që është kusht për bisedimet e anëtarësimit”, thotë Taravari në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se nga Brukseli do të kërkonte garanci që nuk do të ketë kushte të reja për Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian.
Si prioritet tjetër për Taravarin është edhe largimi i Maqedonisë së Veriut nga nisma “Ballkani i Hapur”.
Taravari, kandidati i koalicionit VLEN, në të cilin janë bashkuar partitë opozitare të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, konsideron se karriera, siç thotë ai, e “pastër” politike, pa skandale dhe afera, është përparësi ndaj kundërshtarit të tij të drejtpërdrejtë, Bujar Osmanit nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Taravari, pse qytetarët duhet të votojnë për ju, cili është avantazhi juaj ndaj kandidatëve të tjerë dhe ndaj kundërshtarit tuaj të drejtpërdrejtë, Bujar Osmanit nga BDI-ja?
Arben Taravari: Ne jemi shtatë kandidatë, nga të cilët pesë kandidatë janë maqedonas dhe dy janë shqiptarë. Konkurrenca, sinqerisht, në bllokun shqiptar do të jetë mes meje dhe zotit Bujar Osmani. Shpresoj që qytetarët të kuptojnë se kujt do t’i besonin për të udhëhequr vendin në pesë vjetët e ardhshëm./REL
Ndiqni KËTU intervistën e plotë