Ish të përndjekurit, që sipas legjislacionit vendas kanë përfituar dëmshpërblim, do të duhet të presin të paktën 3 dekada për të marrë plotësisht atë që u është llogaritur dhe takon.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) vëren se, nëse do të ecet me këto ritme ku çdo vit miratohet në buxhet një shumë e papërfillshme në raport me totalin, mbyllja e këtij kapitulli do të jetë shumë afatgjatë.
“Vlera e detyrimit të mbetur për ish të përndjekurit politik deri në fund të viti 2022 është 29.88 miliardë lekë (290 mln euro) dhe nëse buxhetimi dhe çelja e fondit për ish të përndjekurit do të vazhdojë me këtë ritëm apo më të ulet, ky detyrim do të mund të shlyhet mesatarisht pas rreth 30 vitesh” nënvizon raporti.
Për vitin 2024, shuma e miratuar për këtë kategori është 1 miliard lekë.
Mënyra e kompensimit për ish të përndjekurit ka ndryshuar vazhdimisht që nga koha e qeverisjes së djathtë e deri më sot.
Në vitet 2009-2018, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në atë kohë ishin mbi 13 mijë dosje të miratuara të aplikuara nga ish të përndjekurit politikë. Kategoritë që përfitonin këtë dëmshpërblim ishin të ndara në parësore dhe dytësore.
Për parësorët në ato vite u miratua dhënia e 8 kësteve me shuma 1 milionë dhe jo më i vogël se 100 mijë lekë teksa u kërkua që të shtohej edhe një këst i nëntë për shkak se kishte ende dëmshpërblim të pashpërndarë për disa raste./ Monitor