Organizata Freedom House, me seli në Uashington, në raportin e fundit “Vendet në Tranzicion 2024: Një rajon përballë forcave të autokracisë dhe demokracisë” të publikuar të enjten, thekson se demokracia në Shqipëri u ndesh me një sërë sfidash, veçanërisht gjatë zgjedhjeve të muajit maj, të cilat konsoliduan më tej pozitën dominuese të partisë në pushtet.
Në kapitullin për Shqipërinë, Freedom House po ashtu vë në dukje përkeqësimin e gjendjes së mediave dhe zvogëlimin e hapësirës të shoqërisë civile. Sipas organizatës, korrupsioni vazhdon të mbetet dukuri shqetësuese në Shqipëri. Vlerësimi i përgjithshëm i organizatës për Shqipërinë mbetet i pandryshuar nga viti i kaluar, duke e cilësuar si një vend me sistem hibrid të qeverisjes.
‘Freedom House’ vlerëson përpjekjet e SPAK-ut për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe veçon rezultatet e hetimeve ndaj figurave politike.
“SPAK-u gradualisht përmirësoi rezultatet e hetimeve të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ngriti akuza kundër një numri politikanësh kryesorë në Shqipëri në vitin 2023, duke u bërë njëri nga institucionet e pakta funksionale të drejtësisë dhe prokurorisë në vend, ndërkohë që procesi i vetingut në Shqipëri vazhdoi edhe gjatë vitit 2023″, thuhet në raport.
Raporti i referohet hetimeve të SPAK-ut ndaj ish kryeministrit Sali Berisha për korrupsion, për të cilin ai është shpallur non-grata nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe shton se krahu i tij politik “është shndërruar në një grup të dhunshëm, që duket se dëshiron të destabilizojë vendin, duke e bërë arrestimin e tij lajm të mirëpritur për shumë njerëz.”
Raporti po ashtu citon edhe aktpadinë e SPAK-ut ndaj ish Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për korrupsion dhe lëshimin e fletë-arrestit ndërkombëtar pasi ai u largua nga Shqipëria.
Sipas raportit, “pas hetimeve dhe akuzave të SPAK-ut ndaj Berishës dhe Ahmetajt, si dhe ekspozimit të lidhjeve ndërmjet disa grupeve të krimit të organizuar me biznese, politikanë dhe agjenci të rendit” është vënë re “një fushatë në rritje dezinformimi nga disa portale dhe nga figura të larta politike në qeveri dhe opozitë për të diskredituar punën e SPAK-ut.”
Këto përpjekje të shtuara të SPAK-ut për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar të nivelit të lartë, sipas ‘Freedom House’, kanë nxitur sulme ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të tij nga të gjitha partitë politike, të cilat vazhdojnë të mos distancohen nga zyrtarët e akuzuar mes radhëve të tyre.
“Reagimi negativ nënvizon realitetin se SPAK-u nuk mundet të luftojë korrupsionin në nivelet më të larta i vetëm dhe se është e rëndësisë jetike për demokracinë në Shqipëri, që partitë politike t’i largojnë ata që janë të përfshirë në korrupsion dhe që kanë një të kaluar që minon sundimin e ligjit dhe demokracinë”, thuhet në raport.
Sipas ‘Freedom House’ “partitë politike shqiptare vazhdojnë të mos jenë në gjendje të përballen me korrupsionin në radhët e tyre dhe duken të pavullnetshme për t’u distancuar nga udhëheqësit problematikë partiakë që janë sanksionuar jashtë vendit ose që ballafaqohen me akuza serioze nga SPAK-u.”
“Kjo dukuri pjesërisht ka të bëjë me mungesën e demokracisë së brendshme të partive politike dhe paaftësisë së tyre” për t’i dhënë përgjigje kësaj dukurie negative në radhët e tyre.
“Dështimet e brendshme partiake janë bartur në strukturat qeveritare – duke ngjallur armiqësi të shtuar ndaj kritikëve në sektorët e shoqërisë civile dhe mediave – dhe vazhdojnë të kenë një ndikim të pafavorshëm në gjendjen e përgjithshme të demokracisë në Shqipëri”, thuhet në raport.
Në kapitullin për Shqipërinë, organizata ‘Freedom House’ sjell një pasqyrë të zymtë edhe për skenën mediatike. Sipas raportit, një pjesë e madhe e mediave u janë nënshtruar interesave të biznesit dhe atyre politike të pak familjeve, apo kontrollohen nga biznesmenë që blejnë aksione në media për të përfituar kontrata publike në këmbim të raportimit të favorshëm.
Raporti identifikon grupin Top Media, pronë e familjes Hoxha, grupin Klan, pronë e familjes Frangaj, Media Vizion, pronë e familjes Dulaku, G2 Media, pronë të vëllezërve Ulaj, familja Hysenbelliu dhe gazetari italian Carlo Bollino.
Sipas gjetjeve të raportit, kanalet televizive “në pronësi të familjeve Hoxha, Frangaj, Hysenbelliu dhe Bollino patën 86.94 për qind të audiencës televizive në pesë muajt e parë të vitit 2023.”
Disa nga këto kompani mediatike, sipas raportit që u referohet organizatave që identifikojnë pronarët e mediave, marrin subvencione nga qeveria qendrore dhe lokale në këmbim të një mbulimi të favorshëm.
Raporti thotë se “kur mediat bëhen kritike ndaj qeverisë, si në rastin e News 24 të familjes Hysenbelliu, ato përballen me masa ndëshkuese, kërcënime dhe në disa raste gjoba të larta.”
Raporti dokumenton disa raste të sulmeve fizike dhe verbale ndaj gazetarëve në Shqipëri për raportimet e tyre rreth politikanëve të lartë dhe anëtarëve të dyja partive politike.
Raporti në veçanti vë në pah sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve Elvis Hila, Afrovita Hysaj dhe Elton Qyno, si dhe sulmin verbal ndaj gazetares së ‘Balkan Insight’ Ola Xama nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili iu referua asaj si “vrasëse me pagesë” pas publikimit të një shkrimi për hetimin e korrupsionit për tenderin e inceneratorit të Tiranës.
Sipas organizatës biznesmenë “paguajnë opinionistë dhe gazetarë dhe sponsorizojnë emisione kryesore televizive të debatit politik, të cilat ndikojnë në opinionin publik”. Kjo sipas raportit bëhet “për të promovuar agjendat e partive politike në këmbim të përfitimit të kontratave për tendera publikë apo favoreve tjera.”
Në këtë formë, sipas raportit, këto media shpërfillin çështjet e rëndësishme me të cilat përballet Shqipëria. Raporti vjetor i ‘Freedom House’ që trajton parametrat kryesorë demokratik të shteteve në tranzicion, bën përgjegjëse të dy anët e spektrit politik në Shqipëri që kanë çuar në dobësimin e pozitës së parlamentit për të mbikëqyrur punën e qeverisë.
“Përçarja e Partisë Demokratike pati efekt zinxhir tek roli që opozita luan për ta mbajtur përgjegjëse qeverinë dhe për të kontribuar në funksionimin bazë të parlamentit, duke çuar drejt përplasjeve të dhunshme në parlament në dy muajt e fundit të vitit 2023 që minuan rolin e rëndësishëm që legjislatura luan në demokracinë parlamentare,” thuhet në raport.
Qeveria, sipas raportit, i shfrytëzoi “përplasjet e dhunshme për të penguar edhe më tej autoritetin e parlamentit që të kërkojë llogaridhënie nga qeveria, duke miratuar një numër ligjesh të reja në dhjetor të vitit 2023 për dënime të ashpra ndaj anëtarëve të parlamentit që veprojnë në kundërshtim me rregullat, duke ia vështirësuar opozitës që të kërkojë hetime parlamentare për vendimet e qeverisë”.
Raporti gjithashtu thotë se “kryeministri Rama dhe Partia Socialiste shfrytëzuan përçarjet gjithnjë e më të dhunshme të opozitës për të konsoliduar pushtetin dhe dominuar zgjedhjet e mbajtura më 23 maj”.
“Vëzhguesit e zgjedhjeve dokumentuan shpërdorimin e burimeve shtetërore nga Partia Socialiste për të rritur avantazhin politik në një mori komunash para zgjedhjeve, një strategji veçanërisht e dobishme në nivelin komunal ku shumë prej qeverive lokale nuk kanë financim të mjaftueshëm dhe varen nga qeveria qendrore,” thuhet në raport.
Kapitulli për Shqipërinë po ashtu vë në dukje se shoqërisë civile i është ngushtuar hapësira e veprimit, duke theksuar se gjatë vitin 2023 qeveria ka propozuar dhe parlamenti ka miratuar ligje “pa angazhimin e duhur të organizatave joqeveritare dhe grupeve të interesit”, që është detyrim ligjor për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Qeveria dhe parlamenti kanë dështuar të angazhohen në një dialog konstruktiv me sektorin e shoqërisë civile, duke dëshmuar që kushtet për angazhimin e OJQ-ve dhe fuqizimi i tyre përmes konsultimit për hartimin e politikave mbetet një premtim bosh”, thekson organizata ‘Freedom House”./ VOA