Dita e sotme do të ketë kryefjalë aksionin opozitar në parlament dhe në rrugë. Së pari në parlament duke nisur nga ora 10:00 opozita e udhëhequr nga grupi i Sali Berishës do të debatojë në parlament mbi çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka, nëse do dërgohet apo jo për verifikim në Gjykatën Kushtetuese.
Partia Socialiste ende nuk e ka bërë publik qëndrimin që do mbajë mbi mandatin e Xhaçkës, duke qenë se në Konferencën e Kryetarëve nuk zbuloi vendimin. Nga ana tjetër, deri më tani në Kuvend është depozituar vetëm raporti i opozitës, përmes së cilit kërkohet që mandati i Xhaçkës të dërgohet në Kushtetuese për verifikim.
PS deklaroi se do të përgatisë një raport deri të mërkurën, që pritet të prezantohet sot. Ky vendim do të thotë që Kuvendi është i detyruar që ta çojë një kërkesë të deputetëve për verifikim të mandatit të një deputeti në Kushtetuese dhe do të jetë kjo e fundit që do të vendosë.
Ditën e sotme do të kalojë për miratim edhe ngritja e Komisionit të Posaçëm për influencën ruse, ndryshe komisioni “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”. Gjithashtu në rend dite janë futur edhe kërkesat e institucioneve të vettingut për rritje page.
Një orë pas nisjes së Kuvendit, do të zhvillohet protesta e radhës e opozitës kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj pas arrestimit të drejtorëve për abuzime me tenderët dhe përfitimin e milionave me kompaninë “5D”.
Protesta do të mbahet në orën 11:00 para Bashkisë së Tiranës. Opozita do të kërkojë dorëheqjen e Erion Veliajt. Opozita u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në këtë protestë të dytë.