Këto thirrje ishin pjesë e shënimit të 14 prillit, Ditës së të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Të rrisim ndërgjegjën e shoqërisë së Kosovës në raport me këtë krim i cili edhe sot kur jemi mbledhur këtu ende nuk flitet nëpër familje për shkak të stigmës dhe kulturës paragjykuese”, tha Feride Rushiti nga Qendra për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës.
Në mars të vitit 2014, parlamenti i Kosovës kishte miratuar ndryshimet ligjore për njohjen e statusit të të mbijetuarve të përdhunimeve, ndërsa ky status u njoh nga një komision qeveritar tek në fund të vitit 2017.
Në muajin shkurt të vitit 2018 autoritetet në Kosovë hapën procesin e verifikimit të statusit të personave të mbijetuar të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, dhe deri më tash sipas institucioneve janë paraqitur rreth 2 mijë kërkesa ndërsa afër 1 mijë e 600 personave u është njohur statusi i viktimës.
Vasfije Krasniqi-Goodman, që ishte viktimë e përdhunimit nga forcat serbe bëri thirrje për mbështetje për gratë e përdhunuara gjatë luftës./VOA