Një tjetër artikull në mediat britanike që lidhet me drogën, por edhe shqiptarët. Kësaj here, për Aleks Vishën, personazh i njohur në rrjetin social Tik-Tok vitet e fundit.
“Express Uk” shkruan se i ashtuquajturi “Mbreti i Tik Tok-ut”, Aleks Visha, del hapur në rrjetet sociale duke folur për “perandorinë e tij të drogës”.
Në një video të bërë publike në Instagram, Aleks flet me persona të tjerë të njohur në Ballkan për numrin e ‘fermave të barit’ që ai zotëron në Angli.
“Unë prodhoj 1200, 1500 ose 2300 bimë çdo dy muaj”, thotë ai në rrjetet e tij sociale ku nuk mungojnë as sharjet.
Duhet theksuar se Visha ndiqet nga një numër i lartë njerëzish në rrjetet sociale.
Në video të tjera që kemi arritur të gjejmë, Aleks fton vëllanë e tij Dor për të festuar “korrjen” e bimëve të kanabisit në Britaninë e Madhe.
Dyshja shihen duke qeshur duke thënë “bëj gati birrat“, ndërkohë që shprehen të shqetësuar për cilësinë e drogës. Në një tjetër story në Instagram ai shihet duke ndjekur punën në një prej fermave të tij të kanabisit.