Para dhe pas paraqitjes së tij në bankën e të akuzuarit në gjyqin historik, i pari i këtij lloji ndaj një ish presidenti amerikan, zoti Trump, i cili është deklaruar i pafajshëm, e cilësoi procesin si një përpjekje politike të kundërshtarëve të tij për të penguar fushatën e tij zgjedhore.
“Ky është sulm ndaj Amerikës. Kurrë nuk ka ndodhur diçka e këtillë më parë… Kjo është një përndjekje politike e pashembullt. Nuk është dëgjuar gjëkundi një gjë e tillë. Nuk është dashur kurrë të ngrihet kjo aktakuzë… Bëhet fjalë për sulm kundër një kundërshtari politik,” deklaroi ish Presidenti Trump.
Brenda sallës së gjyqit, ku nuk lejohen kamerat, zoti Trump u paraqit i heshtur dhe i rezervuar.
Ai akuzohet se falsifikoi të dhënat e biznesit për të fshehur pagesat në këmbim të heshtjes së aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, mbi një lidhje të dyshuar jashtëmartesore me të.
Gjyqi filloi të hënën me përzgjedhjen e jurisë, që do të vazhdojë edhe sot. Gjyqi po zhvillohet në një kohë kur zoti Trump garon për t’u bërë president i Shteteve të Bashkuara. Për më shumë kliko KËTU