Dy persona janë kapur në flagrancë në Theth teksa po kryenin ndërtime pa leje, sipas policisë 4 objekte të cilat do të përdoreshin për turizëm.
“Si rezultat i kontrolleve që po kryhen 24/7, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat turistike dhe në ato urbane, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Postës së Policisë Theth, të mbështetura te informacionet e inteligjencës policore, evidentuan 2 raste të kësaj paligjshmërie.
Në vijim të veprimeve procedurale u vunë në pranga shtetasit A. V., 44 vjeç dhe Gj. D., 60 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Në Theth, 44-vjeçari u kap në flagrancë, teksa kryente punime për ndërtimin e 3 objekteve prej druri, ndërsa 60-vjeçari u kap në flagrancë, teksa kryente punime për ndërtimin e 1 objekti. 4 objektet do të përdoreshin për qëllime turistike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme” njofton policia.