Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit “Moody’s” ka ndryshuar perspektivën e Shqipërisë në “pozitive” nga “e qëndrueshme”, në rishikimin e fundit, të publikuar në 19 Prill 2024.
Perspektiva “pozitive” pasqyron mundësinë e një skenari më të mirë fiskal sesa pritej, i cili mund të rezultojë në një përmirësim të qëndrueshëm të forcës fiskale të Shqipërisë.
Agjencia deklaron se Shqipëria ruajti stabilitetin makroekonomik përmes tre goditjeve të njëpasnjëshme gjatë kohëve të fundit, përfshirë tërmetin e vitit 2019, pandeminë e COVID-19 dhe krizën energjetike të vitit 2022. Ky vlerësim vjen vetëm një muaj pasi agjencia Standard&Poor’s rriti për herë të parë vlerësimin për Shqipërinë në BB-.
Agjencia vlerëson se raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u kthye në një trajektore të qëndrueshme rënëse në vitin 2022, duke kompensuar plotësisht rritjen e borxhit përgjatë periudhës 2019-2021.
Moody’s pret që raporti i borxhit ndaj PBB-së të ulet në 56.3% në vitin 2024 nga 59.2% në vitin 2023.
Përtej këtij viti, Moody’s pret që raporti i borxhit ndaj PBB-së të qëndrojë në një trajektore të qëndrueshme rënëse, në sajë të suficiteve primare të pritshme dhe të një rritje të qëndrueshme të PBB-së.