Ish-kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Belind Këlliçi me anë të një deklarate për media ka denoncuar arrestimin e anëtarit të Kryesisë së Degës Nr.2 të Rithemelimit, pas protestës që u mbajt të premten para bashkisë.
Në një dalje për mediat Këlliçi thekson se patronazhistët e regjimit, të maskuar, kanë arrestuar demokratin, ndërsa i bëri thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë.
“Këta janë patronazho-policët e narkoshtetit Rama-Balla. Të tërbuar nga rezistenca qytetare dhe protestat opozitare, për të mbrojtur hajdutin dhe kreun e Grupit të Strukturuar Kriminal 5D, Erion Veliajn dhe frikësuar opozitarët, ata kanë dalë prej dy ditësh në operacione kërkimi kundër protestuesve sikur të ishin terroristë.
Janë të njëjtët policë që figurojnë në listëpagesat e grupeve kriminale, që u japin atyre informacione, që punojnë për ta. Të shitur dhe frikacakë me kriminelët, trima të çartur me protestuesit e opozitës, me qytetarët e thjeshtë, që dalin para bashkisë, jo për krimin por kundër tij.” tha Këlliçi