Nesër do të mblidhet për herë të pestë komisioni hetimor për Kontratat e Partneritetit Publik Privat në Shëndetësi. Shumica socialiste ka hartuar një plan të cilin do ta prezantojë nesër në mbledhjen e koordinuar të komisionit.
Dokumenti është një plan që përcakton qartë hapat parlamentarë që duhen ndjekur për hetimin e kontratave të partneritetit publik privat në sektorin e shëndetësisë. Struktura organizative e Planit Hetimor ka 7 hapa si më poshtë.
Hapi 1: Përcaktimi i Qëllimeve dhe Objektivave të Hetimit
Hapi 2: Përcaktimi i Kufijve dhe Juridiksionit të Hetimit
Hapi 3: Strukturimi i Ekipit Hetimor
Hapi 4: Planifikimi i Procesit të Mbledhjes së provave
Hapi 5: Seanca të Dëgjimit dhe Analizë
Hapi 6: Raportimi dhe Rekomandimet
Hapi 7: Ndërmarrja e Veprimeve të Mëtejshme
Drafti i ekspertëve të mazhorancës ka të përcaktuar edhe kalendarin e Planit Hetimor duke iu përmbajtur afatit 4 mujor të miratuar nga Kuvendi. Po kështu janë parashikuar edhe vizita në terren për të parë zbatimin e kontratave, si dhe intervista të ndryshme me stafin dhe pacientët.