Një shtëpi bari është zbuluar nga policia në Malësi të Madhe, ku siç bëhet me dije ishin kultivuar 145 bimë kanabis. Për rastin ka përfunduar në pranga një 23-vjeçar si dhe është shpallur në kërkim pronari i banesës Françesko Macoraj.
Policia bën me dije gjithashtu se ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 5 punonjës të OSHEE-së, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
“Kishin përshtatur një banesë dykatëshe, për kultivim të kanabisit, me anë të llambave, vihet në pranga një 23-vjeçar, shpallet në kërkim pronari i banesës.
Procedohen penalisht dhe 5 punonjës të OSHEE-së, për “Shpërdorim detyre”.
Sekuestrohen 145 bimë kanabis të kultivuara në vazo, në ambientet e përshtatura me llamba, 64 llamba, 64 rritës energjie, 2 kilogramë kanabis dhe sende të tjera që shërbenin për kultivimin.
Gjatë kontrollit të ushtruar në një banesë dykatëshe në fshatin Bzhetë, në një ambient të përshtatur me llamba, u gjetën të kultivuara 145 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis, 64 llampa, 64 rritës energjie dhe sende të tjera që shërbenin për kultivimin.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Xh. Gj., 23 vjeç dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin F. M., 30 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Gjithashtu kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. C., 35 vjeç, A. H., 51 vjeç, P. Z., 54 vjeç, P. S., 61 vjeç dhe S. H., 55 vjeç, të gjithë punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” thuhet në njoftimin e policisë.