Një situatë e cila vazhdon të thellohet por ende pa gjetur zgjidhje është ajo në Univesitetin e Prishtinës, ku profesori Xhevat Krasniqi, akuzohet nga 27-studente për ngacmim seksual.
Për rastin prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë të ndërmarrë veprime hetimore ndaj profesorit të Universitetit të Prishtinës. Për shkarkimin e tij u organizuan edhe disa protesta para Rektoratit të UP-së.
Protestat e studentëve vazhduan edhe ditën e djeshme në sallën ku ishte planifikuar të mbahet mbledhja e Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës.
“Më ke thënë a dëshiron me t’bo masazh, pranoje që edhe nga universitetet tjera je larguar për ngacmim seksual… pranoje kush je. Jam tut para një viti, sot nuk tutna”, u shpreh studentja, gjatë ballafaqimit me profesorin Krasniqi.
Ndryshe, Lëvizja Feministe Studentore për disa ditë me radhë po proteston para rektoratit të UP-së, e kësaj radhe në sallën e Administratës Qendrore të UP-së, ku edhe nuk lejuan daljen e profesorit nga salla.
Xhevat Krasniqi pasi ka përfunduar deklarimin e tij, anëtarët e Këshillit të Etikës e kanë pyetur atë rreth vlerësimit që ka bërë në lëndën e tij dhe për disa prej deklaratave të studenteve që kanë raportuar ngacmimin.
@fol_shlire