Titulli i parë në karrierë dhe një ëndërr e bërë realitet. Kristjan Asllani është shpallur Kampion i Italisë me Interin këtë sezon, i finalizuar me një fitore magjepsëse në derbi përballë Milanit mbrëmjen e 22 prillit.
Mesfushori i talentuar pason në listë Amir Rrahmanin, i cili gjithashtu triumfoi në Serie A sezonin e kaluar me Napolin, dhe pas Giacomo Vrionit, Asllani bëhet lojtari i dytë që fiton kampionatin italian.
Ndryshe nga ish-sulmuesi i Juventusit në vitin 2020, mesfushori kuqezi ka pasur më shumë ndikim tek zikaltërit, 19 paraqitje, 1 gol dhe 2 asist flasin në favor të tij, edhe pse shpesh herë i harruar nga Simone Inzaghi, 22-vjeçari ka ditur të bëjë mirë në momentin kur i janë besuar minuta.
Në përfundim të ndeshjes, Asllani, ashtu si e gjithë pjesa tjetër e ekipit festoi gjatë për këtë sukses.
“Jemi më të vërtetë të lumtur, nuk kam fjalë ta përshkruaj. Si tifoz interesit që jam, nuk kishte mënyrë më të bukur për të fituar titullin. Jemi shumë të lumtur, sot luanim në transfertë, por tifozët tanë na mbështetën shumë. Akoma nuk jam i vetëdijshëm për këtë titull, të shohim në ditën në vijim.
Të fitosh derbin shpesh vlen më shumë, por të fitosh titullin në derbi është diçka ndryshe”, u shpreh Asallani për Inter Tv.
Të shumë ishin ata që uruan Asllanin për këtë titull të parë në karrierë, mes tyre edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka: “Nder dhe krenari të shohim një lojtar të Kombëtares shqiptare të shpallet kampion në Serie A. Urime titullin kampion Kristjan Asllani!”, lexohet në statusin e Dukës.