-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Gëzim Tushi: Situata e sotme e rolit të medias është transformuar

Kryesoret

Edhe pse akoma nuk shfaqet si fenomen  shoqëror i formalizuar në formatin e debatit të strukturuar publik, qoftë mediatik, akademik e sociologjik është evidente shfaqja e një lloj pakënaqësie sociale dhe reagimi kontroversal i zgjeruar i qytetarëve, të cilët shfaqin hapur, në mënyrë spontane në ambiente informale apo institucione të jetës urbane një qëndrim kritik për nivelin etik e profesional dhe sidomos për ekzigjencat e lëkundura deontologjike të medias shqiptare.

Kritikat e bëra herë me intuitë sociale e gjykime empirike, apo edhe me standarde profesionale e kritere sociologjike, rrahin në një grup problemesh etike e shqetësime sociale, që ndikojnë dhe kanë impakt të gjerë në jetën e përditshme të njerëzve. Shqetësime sociale, estetike e ndikime mediatike që burojnë nga niveli aktual dhe shfaqja kohët e fundit e një lloj inercie papërgjegjshmërie, një sindromë që lidhet me faktin se “sytë e medias” nuk janë aty ku duhet dhe ku pritet roli i tyre si “pushtet”. Duken sheshit dhe diktohen edhe me “sy të lirë”, efektet sociale dhe ndikimet e programacioneve mbi shoqërinë dhe shëndetin e cenuar, patologjitë e shumta të saj. Besoj se shkaku i parë i këtij raporti kontroversal të medias, me shoqërinë, sidomos asaj televizive dhe elektronike është e lidhur me faktin se ato janë paradoksalisht dhe me frenetizëm profesional janë përqendruar më së shumti tek audimetri, shikueshmëria dhe komercializmi.

Unë besoj se kjo rrugë jo vetëm është kundër produktive, por po ndikon si faktor shtesë, herë me ndikim të drejtpërdrejtë dhe herë të tërthortë, në zgjerimin dhe përkeqësimin e situatave sociale që shfaqen në familje, shkollë, shoqëri, rrjetet sociale, situatë të agravuara sociale e të shoqëruara me fenomenet e zgjerimit të krimit, zmadhimin e përmasave të divorcit, intensifikimin e bullizmit tek të rinjtë në shkolla, shtimin e përmasave të krimit minor dhe rebelimet e adoleshentëve, përhapjen e infeksionit të dhunës sociale në familje e në jetën publike etj.. Në këto rrethana do të tregonte papërgjegjshmëri nëse shoqëria shqiptare, intelektualët, profesionistët e medias, por edhe qytetarët nuk do të angazhohen tani dhe jo më vonë në një lloj debati social publik dhe mediatik, që duhet zhvilluar për të diagnostikuar këto sëmundje të shoqërisë dhe në të njëjtën kohë edhe ndikimet e medias në përmirësimin apo përkeqësimin e tyre. Dhe mbi të gjitha, duhen analizuar indikatorët që tregojnë për atë pjesë të përgjegjësisë ekskluzive që ka media, sidomos ajo televizive, elektronike e dixhitale në situatën në të cilën ndodhen patologjitë që po cenojnë rëndë “shëndetin e shoqërisë”.

Kjo analizë bashkë me nevojën e zgjerimit të kriticizmit publik për disa sëmundje endemike, të brendshme të medias, por që kanë ndikim dhe influencojnë në shëndetin e përgjithshëm të shoqërisë shqiptare, jo vetëm është domosdoshmëri, por dhe konditë sine qua non për të rregulluar raportet e brendshme dhe marrëdhëniet e medias, me nevojat orientuese të personalizuara të individit dhe kërkesat morale të përbashkëta të jetës shoqërore. Është e vërtetë e njohur që sot marrëdhëniet e individit dhe shoqërisë me median e shkruar, elektronike dhe sidomos me rrjetet sociale është bërë tejet e ndërlikuar, me efekte kontroversale. Një raport socio-human dhe mediatik, i cili edhe pse është bërë më i ngushtë dhe reciprokisht biunivok, me ndikime të gjëra ndërtimin e raporteve humane, politike e social kulturore, shpesh pesha e vërtetë e ndikimeve sociale ose nuk vlerësohet sa duhet, ose raportet reciproke shikohen në mënyrë të njëanshme, me “sy të ngushtë metafizik”.

Padyshim, është krejt evidente dhe plotësisht e vërtetë, që media në shoqërinë e sotme shqiptare, për shkak të zhvillimit të saj të brendshëm sasior dhe bazamentit të zgjeruar social e ontologjik, por dhe ndryshimeve të dukshme cilësore teknologjike, është bërë vërtet dhe realisht zotëron të gjithë atributet e të qënit një “pushtet më vete”, faktor dhe instrument omnipotent social, me fuqi të madhe ndikuese në situatat e vlerësimeve individuale dhe impaktet që media gjithnjë e më shumë po i shfaq në terrene të gjëra të jetës tonë sociale.

Situata e sotme e rolit të medias elektronike dhe shtypit të shkruar në shoqërinë tonë është transformuar, duke u bërë padyshim jo vetëm faktor me gjerësi sociale, por mbi të gjitha edhe një përgjigje direkte dhe e menjëhershme sociale adekuate. Do të ishte nihilizëm i pajustifikuar, argumentim i pavërtetë nëse nuk pranojmë pa mëdyshje se niveli i medias shqiptare në përgjithësi, sasia dhe cilësia e zhvillimit dhe përparimit të tyre “brenda komponentëve të fushës specifike” të secilës, janë përgjithësisht në përputhje me ritmet e zhvillimit të kohës, kompatibël me dinamikën e problemeve aktuale që shfaqen të “rrëshqitshme”, të pasigurta me të cilat gjithnjë e më shumë përballen individët në “botën e tyre” personale, por edhe shoqëria si tërësi, me shqetësimet e shumta e të njohura sociale.

Në përgjithësi i gjithë korpusi mediatik televiziv, i shkruar, elektronik, tashmë kanë marrë “status të privilegjuar” deontologjik, dhe në tërësinë e institucioneve me mision formimi, edukimi dhe kulturimi ato shfaqen me personalitet të sigurt superior dhe elitar. Kjo epërsi ndihet dukshëm sot më shumë se kurrë, në ndikimet e medias në jetën publike, duke realizuar mundësi të gjëra të informimit, “lidhjes së personalizuar” të individit me ekranin sipas dëshirës dhe me shtypin selektiv në mënyrë të pavarur, në momentin e duhur ose të dëshiruar. Pa përjashtuar këtu zgjerimin absolut të lidhjeve online, e marrëdhënieve interpersonale e të dixhitalizuara përmes fuqisë gati të papërballueshme të rrjeteve sociale. Por pavarësisht sukseseve, “anës së ndritur” të zhvillimeve të medias, është i drejtë, i nevojshëm dhe konstruktiv një lloj zgjerimi i përmasave të gjykimit të “qytetarit kritik” dhe një lloj opinion të strukturuar kriticist.

Kjo, sepse është i ligjshëm pretencioziteti social dhe dëshira publike, që synon të ndikojë pozitivisht në nivelin e zhvillimit të medias në Shqipëri, sepse ky zhvillim sasior e cilësor, duhet parë e lidhur me zhvillimet që ka marrë shoqëria, e cila tashmë nuk është më shoqëri mediatike periferike, vojeriste, pasive dhe konsumuese e lajmit dhe informacionit mediatik si më parë. Qytetari i kulturuar, por edhe mediat cilësore e profesionale në lidhjen e tyre reciproke po ndikojnë që mediat të bëhen dhe po bëhen një strukturë solide dhe pushtet, që ka marrë trajtat e duhura të përshtatura me kërkesat dhe strukturën e shoqërisë postmoderne, me tipare funksionuese dhe reflektuese ndaj “lëndës dhe informacionit” shumëdimensional dhe të larmishëm që transmetohet, publikohet, trajtohet dhe interpretohet mediatikisht.

Asnjëherë më parë në historinë e shoqërisë tonë dhe medias shqiptare nuk kanë qenë këto raporte ndërvarësie, dhënëse e marrëse midis medias dhe publikut. Nëse vlerësojmë me objektivitet këtë realitet social të mediatizuar, është e saktë ajo që thuhet, se në kohën tonë kudo po flitet për një realitet të ri të këtij reciprociteti mediatiko-social. Kjo është arsyeja pse gjithnjë e më shumë jo vetëm flitet, por edhe po vlerësohen (në ndonjë rast edhe mbivlerësohen) shfaqjet e “fuqisë përcaktuese të medias” në politikë, jetën kulturore, arsimore, sociale të shoqërisë shqiptare.

Madje, presioni i medias mbi strukturat pushtetore, konceptet morale, ideologjike dhe sidomos në paradigmat mendore të sjelljes individuale të njeriut, ndikimi është aq i fortë dhe përcaktues, saqë konsiderohet si një nga problemet me forcë të madhe, që është bërë problemi social që qarkullon në debatet që zhvillohen në habitatin mediatik, madje edhe përtej kanaleve të komunikimit. Ky problem i raporteve të medias me individin dhe shoqërinë tashmë ka marrë përmasa të një problemi të madh sociologjik. Madje, në një farë mënyre është bërë problem kyç i pashmangshëm në nomenklaturën e ndërlikuar të problemeve delikate e shqetësuese të demokracisë shqiptare.

Por, në këto raporte midis shoqërisë dhe medias, qytetarit dhe politikës nganjëherë shfaqet një pengesë konceptuale dhe etike, në formën e pranisë midis tyre të një lloj “muri ndarës” të medias. Doemos kjo është e lidhur me një lloj interferimi dhe aliazhimi me influencat, orientimet, pozicionet apo parapëlqimet politike orientative të medias. Nëse do të vlerësojmë qëndrimet, pozicionet respektive, pavarësinë apo orientimet politike të mediave, nuk është e vështirë të kuptohet se ato janë aq shumë të pozicionuara, saqë duket se vërtetë për arsye të ndryshme politike apo ekstrapolitike, për qëllime ekzibicionale apo konkurrenciale duket se kanë ngritur “muret” e tyre. Kjo do të thotë që disa media kanë realizuar një “perandori të mbyllur” në vetvete, ndjekin “politika” dhe aplikojnë “strategji utilitare dhe merkantiliste” pa e vrarë mendjen për ndikimet negative apo helmet toksike që përhapin në opinionin publik.

Nuk besoj se është e vështirë për të kuptuar tendencën dikotomike të ndikimeve orientuese të politikës, që ndikojnë jo vetëm në orientimet editoriale, por deri në detajet e programacionit, tipologjisë së të ftuarve. Kjo ka bërë që shpesh në opinionin publik, qarkullon ideja se shumica e televizioneve janë mercenarizuar dhe të vënë në pozita të mbështetjes subjektive. Një dukuri që lexohet nga qytetarët, intelektualët, madje edhe nga fëmijët.

Bota komunikative e mbyllur, e deformuar dhe e mercenarizuar e disa televizioneve, i ka bërë ato vërtetë të shëmtuara, pa kredibilitet. Pozita mjerane e tyre është në nivele që vërtet të vjen keq që si qytetar je i detyruar të përballosh këtë “bombardim helmues”, të përtypësh informacione doktrinariste, subjektivisht të politizuara dhe objektivisht të deformuara si mos më keq. Padyshim që është ndikimi i politikës në këtë vend, që i detyron televizionet që të kenë komunikime të ngushta, aspak objektive me publikun duke cenuar në të njëjtën kohë profesionalizmin edhe moralitetin mediatik. Komunikimi mediatik në shoqërinë tonë nuk është qëllim në vetvete, asnjë institucion i pavarur nga e vërteta dhe detyra prioritare e informimit objektiv të opinionit publik.

Padyshim, prania e shumë televizioneve në Shqipëri është në vetvete një arritje e madhe që duhet vlerësuar nga qytetari, shoqëria, politika dhe opinioni publik. Ka pasur të drejtë mendimtari italian Umberto Eco në përcaktimin e dallimeve të raportit të shoqërisë tradicionale nga ajo moderne në raport me median. Sipas tij, nëse në shoqërinë tradicionale rolin propagandistik e luan kisha, në shoqërinë moderne e luajnë media. Nëse në shoqërinë e kaluar kisha ka qenë bartësja, formuluesja dhe transmetuesja e informacionit në popull dhe publik, tani media ka role sociale dhe intelektuale përtej këtyre funksioneve të thjeshta. Sepse përveç funksionit bazor të informimit dhe transmetimit të informacionit, ato merren edhe me formimin e kulturës masive të njeriut.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit