Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Evropian reaguan për Faktoje mbi nismën e qeverisë shqiptare për ngritjen e një Komisioni për Dezinformimin. Qeveria vijon të mos publikojë memorandumin ku bazohet komisioni edhe pse partnerët ndërkombëtarë kërkojnë transparencë, konsultim të gjerë dhe përfshirje të shoqërisë civile. Ekspertët druhen se nevoja për t’u mbrojtur nga ndikimi i huaj malinj dhë emërimi i figurave politike për komisionin e dezinformimit mund të përdoret për qëllime propagandistike dhe elektorale.
Prej miratimit të ngritjes së një komisioni për dezinformimin në Parlament vetëm me votat e socialistëve, shqetësimi i grupeve të interesit për mungesë konsultimesh dhe paqartësi nuk ka rreshtur.
Faktoje kërkoi nga Këshilli i Ministrave të njihet me Memorandumin e Bashkëpunimit të firmosur mes Shqipërisë dhe SHBA-së, ku ky komision thuhet se është bazuar. Afati ligjor për të marrë përgjigjje nga Këshilli i Ministrave ka skaduar dhe ankimimi ka shkuar tek Komisoneri për të Drejtën e Informacionit.
Deri në zgjidhjen e këtij ngërçi, për të kuptuar pak më shumë rreth pritshmërive të partnerëve tanë ndërkombëtarë për mënyrën sesi një shtet duhet të marrë masa ndaj manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja, Faktoje pyeti Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Bashkimin Eruopian (Lexo KETU investigimin e plotë).