Të hënën në Dhomat e Specializuara do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Seanca pritet të fillojë në ora 09:00 dhe të zgjasë deri në orën 16:30.
Disa ditë më parë në Hagë ka dëshmuar Ramiz Qerizi, dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Ai ka thënë se Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së e ka konsideruar si institucion sa ka shërbyer si komandant i Batalionit të Dytë të Brigadës 121 të Zonës së Pashtrikut.
Ai e ka përmbyllur dëshminë treditore me përgjigjet në pyetjet e trupit gjykues e edhe në kundërpyetjet e prokurorisë e avokatëve në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.
Ndryshe, gjatë dhënies së dëshmisë së tij, dëshmitari Ramiz Qeriqi ka deklaruar se asnjëherë nuk ka marrë pjesë në arrestime, marrje në pyetje, keqtrajtime apo edhe ndalime sa ka qenë pjesëtar i UÇK-së e në veçanti si komandant batalionit të dytë të Brigadës 121 në Pashtrik.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./Dukagjini/