Kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi të hënën rëndësinë e hapave konkretë nga autoritetet e Kosovës drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në kuadër të përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Ai i ka bërë këto komente gjatë një bisede telefonike me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, njoftoi zyra e kancelarit gjerman.
Në njoftim thuhet se kancelari Scholz theksoi “mbështetjen e Gjermanisë për integrimin evropian të Kosovës ndërsa rikujtoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit”. Kancelari gjerman, thuhet në njoftim, ka përshëndetur zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kërkoi ndërkaq mbështetjen e kancelarit gjerman Olaf Scholz për anëtarësim në Këshillin e Evropës, më pak se tre javë nga mbledhja e Këshillit të ministrave të kësaj organizate, kur anëtarësimi i Kosovës mund të hidhet në votim.
Kryeministri Kurti shkroi në rrjetet sociale se gjatë një bisede telefonike me kancelarin Scholz ka “shprehur mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur dhe shpresën se Gjermania do të mbështesë antëraësimi e Kosovës në Këshillin e Evropës në përputhje me rekomandimet e Asamblesë parlamentare”, duke nënvizuar siç tha angazhimin e Kosovës për të zbatuar tërësisht marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Dy javë më parë Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i hapi Kosovës rrugën e anëtarësimit në këtë organizatë, fjalën përfundimtare për të cilin duhet ta jap Këshilli i ministrave. Edhe në këtë fazë, Kosova duhet të sigurojë votat e dy të tretave të vendeve anëtare që marrin pjesë në votim./VOA
Lexoni KËTU shkrimin e plotë