Fushatë e ndezur elektorale në Maqedoninë e Veriut. Replika mes kreut të BDI, Ahmeti e liderit të VMRO-DPMNE, Misckoski. Ahmeti tha, se nuk ka nevojë për zemërim, se ai ka brohoritur “UÇK”, se ajo e shpëtoi Maqedoninë.
Qytetarët do të vendosin se kush do të jetë pjesë e Qeverisë në Maqedoninë e Veriut, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në tubimet partiake, duke iu përgjigjur kështu deklaratës së liderit të VMRO-DPMNE, se “është koha që BDI të zëvendësohet me parti që do të punojnë për një siguri dhe të ardhme për të gjithë qytetarët”.
“Opozita nuk duhet të bëjë gabimet që i ka bërë ish-kolegu im në vitin 2006 – partia e atëhershme e ka bërë këtë gabim dhe e ka paguar çmimin e lartë”, ka thënë Ahmeti në Dibër. Në vitin 2006, VMRO-DPMNE formoi një qeveri me PDSH-në, një parti që atëherë fitoi më pak vende se BDI.
“Ne shqiptarët nuk jemi përfaqësues të një pakice, ne jemi përfaqësues legjitimë të shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe tani Fronti përfshin komunitetin rom, turk dhe boshnjak. Populli vendos”, tha Ahmeti në Dibër.
Ahmeti hedh poshtë pretendimet se ka dërguar emisarë. Ai thotë se në politikë ka hyrë si kryengritës dhe se populli e ka votuar për 22 vjet. “Kam formuar një front me partitë politike shqiptare. Këtë front e kam bërë të pathyeshëm duke përfshirë komunitetet që ju i përbuzni, siç janë komuniteti turk, rom dhe boshnjak.
Ne po mundohemi që kjo Kushtetutë, të cilën e bëmë edhe më afër qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, të përfshijë komunitetin bullgar, egjiptian, malazez dhe kroat. Marrëveshja e Ohrit dhe ndryshimi i statusit politiko-juridik të shqiptarëve nuk e shkatërroi Maqedoninë”, tha Ahmeti./DW