Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken u takua sot në Jeruzalem me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Në takim Blinken theksoi se duhet shmangur zgjatja e konfliktit, ndërsa përsëriti “qëndrimin e qartë të SHBA-së në lidhje me Rafha”, njofton Departamenti Amerikan i Shtetit.
Deri më sot, administrata Biden shpreh kundërshtim ndaj operacionit tokësor izraelit në Rafah, për sa kohë që nuk paraqitet një plan për të mbrojtur civilët në qytet.
Departamenti amerikan tha gjithashtu se Blinken foli për përmirësimin e fluksit të ndihmës humanitare në Rripin e Gazës që kur Netanyahu foli me Presidentin Joe Biden në fillim të këtij muaji.
Nga ana e tij, Netanyahu i tha sekeretarit amerikan se nuk do të pranojë një marrëveshje që do të përfshinte përfundimin e luftës.
Gjatë takimit të tyre që zgjati rreth 2.5 orë, kryeministri izraelit ia bëri të qartë Blinken se nëse Hamasi vazhdon të kërkojë përfundimin e luftës, ushtria do të nisë një sulm në Rafah dhe do të ketë një marrëveshje armëpushimi.
Më herët, Sekretari amerikan i Shtetit u takua në Tel Aviv me presidentin izraelit Isaac Herzog, i cili fajësoi Hamasin për dështimin për të arritur një marrëveshje për pengjet. Herzog theksoi se organizata terroriste e Gazës është “e vetmja arsye pse kjo nuk është arritur”.
“Nuk ka më vonesa, as justifikime, koha është tani ”, tha Blinken nga ana e tij.