Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita është takuar me zv.ambasadoren e Britanisë së Madhe në Tiranë, Julia Sutherland.
Gjatë takimit u theksua se “bashkëpunimi i deritanishëm ka sjellë ulje drastike të rasteve të emigracionit të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, si dhe goditje të rëndësishme ndaj krimit të organizuar”.
Drejtori Hita vlerësoi partneritetin e ngushtë dhe pa barriera me agjencitë ligjzbatuese britanike.
“Ky është një partneritet i konsoliduar, me rezultate konkrete. Policia e Shtetit mbetet një partner i besueshëm dhe aktiv në garantimin e sigurisë, brenda dhe jashtë vendit”, tha Hita.
Nga ana e saj, zëvendësambasadorja Sutherland theksoi se “bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të vijojë të zgjerohet, duke e konsideruar atë një shembull konkret të shkëmbimit të ekspertizës dhe besimit të ndërsjellë”.









