Sekretari i grupit të PD-së, Flamur Noka gjatë fjalës së tij në Kuvend riktheu në vëmendje ‘skandalin’ tek testi i Magjistraturës, ku sipas shtimi i numrit të fituesve është bërë me qëllim për të ulur patronazhistët në radhët e drejtësisë.
Noka foli dhe me emra duke përmendur Arben Rakipin si ‘spiun’ i sigurimit të shtetit, personi i cili vendosi që teza të korrigjohej manualisht. Noka thekson se askush nuk ka mbajtur përgjegjësi apo të japë shpjegim përse nuk u quajt e vlefshme korrigjimi me makinerinë e skanimit.
“Skandali i shkollës së Magjistraturës është një nga skandalet më të rënda që mund të ndodhur. Është praktikisht shkatërrim i sistemit të drejtësisë është kapje e sistemit të drejtësisë, sepse ata prokurorë do të ulen në ato karrige dhe do të kenë drejtësinë për detyrë.
Në një moment pasi janë ulur 411 konkurrent në një sallë pa asnjë përfaqësues ndërkombëtar as pedagog, por ishin vetëm disa punonjës administrate dhe ata me telefon në dorë, kundër rregullores u shpërnda teza.
Teza kishte 100 pikë, në mënyrë të fshehtë tinzare pa u njoftuar askush, spiuni i sigurimit të shtetit Arben Rakipi, vendosi që tezat të korrigjohen manualisht.
Si ka mundësi që skanuesi i testit, rezulton sipas Rakipit, nuk paska korrigjuar 100 pyetje por 96. Kjo pajisje si nuk paska punuar, kush është përgjegjësi. Askush nuk jep përgjigje.
U shpallën 79 fitues, pastaj me datë 23 shtohet lista me 42 fitues të tjerë. Por prapë ditën e tret duhej shtuar se nuk u kënaqën rilindasit, u shtua lista me 10 fitues.
Për ta fshehur këtë krim shtetëror, nuk u renditën mbi bazën e pikëve konkurruesit, por mbi bazën e rendit alfabetik që mos të vihet re mashtrimi.
Qëllimi juaj nuk është krijimi i drejtësisë, jo qëllimi është që patronazhistët të mbushin radhët e drejtësisë që ju të vidhni e të lëvizni si të doni” u shpreh Noka.