-sidi education-spot_img
16.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Alket Veliu: Flet i mbijetuari i genocidit grek Fahri Dahri, Konispoli na priti me krahë hapur

Kryesoret

Ne dëshminë e tij me titull “Rrëfim për një vdekje të mbetur gjallë” (nëntor 2014), i mbijetuari i genocidit grek, studiuesi dhe financieri i mirënjohur, profesor Fahri Dahri, mes të tjerash shkruan: “Nuk kaloi shumë kohë dhe burra e gra konispolate filluan të zbrisnin nga qyteza, poshtë në Vasilikua me duar plot, disa me bukë, me djathë, qumësht, të tjerë me ullinj të konservuar dhe krahas dhënies së ushqimeve na uronin mirëse ardhjen, duke shprehur edhe kënaqësinë që shpëtuam nga vdekja”.

Ndërkohë, mbrëmjen e 1 majit 2024, emisioni “Inside Story”, duke injoruar dhe nëpërkëmbur etikën e gazetarisë, në mungesë profesionalizmi (nuk mund të themi me keqdashje),  transmetoi intervistën e një personi të mbijetuar, por që dukej qartë se e tradhtonte kujtesa kur shoshte: “Në Konispol nuk u mirëpritëm. Askush nuk u vuri dorë, por na lanë të vdisnim urie. Konispoli vërtetë shqiptar por ishin të këqinj, nuk na dihmoi asnjë njeri ne ishim dy fëmijë të ngordhur… dhe ishim pa grënë prej ditësh”.

A i shërben kjo lloj gazetarie  të vërtetës historike dhe themelit shpirtëror kombëtar? Aq më tepër që fakti dhe e vërteta në gazetarinë profesioniste merren në dy-tre burime. Nuk kam preferuar kurrë të bëj polemikë me mediat, ndaj po risjell në vijim dëshminë e botuar dhe të dokumentuar të Fahri Dahrit.

Rrëfim për një vdekje të mbetur gjallë

Fahri Dahri

Ishte 22 korriku i vitit 1944, ditë e premte, kur prindërit bashkë me ne fëmijët, dolëm nga shtëpia dhe nisëm rrugën e mërgimit, së bashku me familjarët e tjerë. Karvanët me kuaj, mushka e gomerë, kope dhensh dhish, lopë e qé, ecnin avash se turma ishte e të gjitha moshave. Një pjesë e mirë të ngarkuar me dengje rrobash për veshje dhe fjetje, sigurisht jo të mjaftueshme, aq sa mundeshin dhe me atë paraqitje, arritëm në Sajadhë më 15 gusht të vitit 1944 (fshat çam në buzë të kufirit). Udhëtim që zgjati plot 25 ditë e netë.

Karvani i vuajtjeve vazhdonte rrugëtimin i rraskapitur. Synimi: për të kaluar në anë tjetër të “Qafë Botës”, ku ndan kufiri i Çamërisë me Çamërinë. Konispoli përfshihet në krahinën e Çamërisë, por në vitin 1913 shpëtoi nga vendosja e kufirit me Greqinë, duke mbetur brenda kufirit etnik shqiptar, pra në shtetin Shqiptar.

Sasia e ushimeve të marra me vehte, në vrull e sipër gjatë largimit nga shtëpitë, po mbaronte. Uria, e pranishme në çdo familje çame, ndikonte në dobësimin e energjive dhe në trurin e njerëzve, filluan tu merreshin mënd, si efekt i mungesës së të ushqyerit. Ata që kishin mundësi të merrnin tufën e bagëtive, herë pas here thernin ndonjë dele ose dhi dhe mishin e ndanin mes tyre, por ishte e pamjaftueshme, turma e njerëzve ishte e madhe.

Graria shpërndaheshin në pllajë dhe mblidhnin pushtanika, i piqnin, na i jepshin për të ngrënë, mblidhnin lëpjeta, lakra të egra dhe me pak oriz i gatuanin. Shtynin vaktet. Lëngimet e të sëmurëve sa vinin e shtoheshin, ofshama prej të moshuarve, qarjet fëmijësh për bukë e ujë shoqëronin lëvizjet e turmave të atyre njerëzve shpresëpak. Kjo ishte gjendja gjatë gjithë rrugës derisa grupe-grupe familjet çame zbrisnin tek fusha e Vasilikoit, poshtë në perëndim të Konispolit.

Vështrimi drejt pllajës së Sajadhës ndeshej me pamjet që krijonin familjet e shumta me djepe në kurriz, me dengje, kafshët e ngarkesës ku kishin hipur fëmijët, pleq të sëmurë; ndërsa kopetë me bagëti dhe qentë besnikë, të gjithë sëbashku ishin bërë sikur ishte një kope e pandarë. Në atë situatë për karvanët e çamëve, shtroheheshin tre rrugëzgjidhje, pasi prapa nesh vinin ndjekësit kriminelë, hajdutët dhe rebelët e Greqisë; nga perëndimi afër, shumë pranë, kishim detin Jon; nga veriu ishte kufiri me Shqipërinë, problemi qendronte tek rrugëzgjidhja, nga do e merrnin drejtimin karvanët me njerëz, bagëti dhe kafshë?

Prindërit të gjëndur përpara asaj situate, duhej të merrnin vendimin përfundimtar, cilën nga tre rrugët duhej të zgjidhnin? Të qendronin në Sajadhë dhe të prisnin të na vriste bisha greke, andartët e shfrenuar të Zervës dhe të përlesheshim me ‘ta, ne me grushta dhe ata me armatime e mjete të tjera të forta? A po të hidheshim në det e të mbyteshim të gjithë sa ishim? Së treti, duhej të kërkohej leje kalim kufiri, duke shpresuar se do të lejoheshim të kalonim kufirin dhe të hynim në Shqipëri? U zgjodh rruga për të kërkuar leje kalim kufiri tek partizanët shqiptarë që ishin në kufirin e “Qaf Botës”.

Partizanë të armatosur, me fytyra të qeshura që shprehnin dashamirësi, sigurisht pasi morën pëlqimin nga instatncat më të larta të kohës, lejuan kalimin tonë për të gjithë sa ishim dhe ata që pritej të vinin, megjithë ngarkesat dhe tufat e bagëtive. Kur familjarët u njohën me pranimin e kalimit të kufirit, të gjithë të gëzuar nxituan drejt “Qatë Botës”. Kështu, më 15 gusht 1944, karvanët e drobitur u gjendën në fushën e Vasilikoit, poshtë Konispolit.

Kalimi i kufirit u lejua. Turmat e njerëzve të drobitur nga mundimet, ankthi, frika, nxituan drejt kalimit të “urës së shpëtimit”. Për një çast u harruan brengat dhe njëfarë gëzimi i pushtoi zemrat tona, ndërsa bagëtia blegërinte dhe tingujt e këmborave dhe zileve formonin një sinfoni orkestrale mikse, me ‘to përziheshin dhe të qarat e fëmijëve, rënkimet e të sëmurëve, lehjet e qenëve dhe zërat e dridhur të burrave që bënin thirjje të vazhdueshme për të nxituar turma drejt kalimit të kufirit. Edhe sot më tingëllojnë ata tinguj të përzier: “Gisni shpejt, dihmoni njëri-jatrin, mos lini asnjë gjë, shpejt, gisni moj motra, more vllezër, të shpëtojmë jetën tënë”. Më në fund u ndamë nga vatani, u ndamë nga malli e gjëja, u ndamë nga dhéu që kish ushqyer në shekuj e mijëvjeçarë, u ndamë me pikëllim të thellë nga varret e të parëve.

Konispol 15 gusht 1944

Grupe-grupe, mbi baza familjesh, fisesh qendruam në fushën e Vasilikoit. Një pjesë ngritën tenda me qylyma. Të tjerë nëpër trungjet e ullinjëve, shumica nën qiellin e hapur. Konispoli me shtëpitë e bardha i shtrirë në kodër dhe i rrethuar nga maja e Likojanit dhe mali i Saraqinit, i veshur me ullinj, na mbushte me krenari.

Na dukej se lëshonte rreze të forta shprese. Na bëhej sikur thoshte: “Vllezër e motra çame, shpëtuat nga kuçedra vrastare, mblidhni veten, merrni forca të nisni jetën. Tani jeni jashtë rrezikut të vrasjeve, therjeve dhe grabitjeve”.

Konispoli në atë kohë ishte edhe si kryeqendra e Çamërisë së veriut, Konispoli i Muhamet Kuçukut, Osman Takes e sa e sa trimave me pushkë e penë, na priti me krahë hapur. Nuk kaloi shumë kohë dhe burra e gra konispolate filluan të zbrisnin nga qyteza, poshtë në Vasilikua me duar plot, disa me bukë, me djathë, qumësht, të tjerë me ullinj të konservuar dhe krahas dhënies së ushqimeve na uronin mirëse ardhjen, duke shprehur edhe kënaqësinë që shpëtuam nga vdekja.

Këto ardhje-vajtje nga qyteza tek emigrantët çamë, u kryen disa ditë, deri sa grupet e njerëzve me kopetë e bagëtive që kishin shpëtuar, morën rrugëtimin për Delvinë, disa për në Sarandë, të tjerë për në Vlorë të cilët udhëtimin e kryenin me benzinata. Karvani filloi të lëvizte me degëzime në drejtime të ndryshme.

Kurrë nuk do ta harrojnë familjet çame ndihmën morale dhe materiale të pakursyer të familjeve konispolate, kurajon që na dhanë, ngrohtësinë duke na mbushur zemrat plot me shpresë, se, vërtet u larguam nga vatani, por erdhëm në gjirin e vëllezërve tanë të një gjaku, të një fisi.

Gjej rastin për t’i nderuar me respekt dhe për t’i uruar konispolatët dhe të gjithë shqiptarët për atë ç’ka kanë bërë, për mikëpritjen dhe bujarinë e treguar ndaj nesh në ato vite të tmerrshme kur edhe vetë Shqipëria ishte në luftë, ende e paçliruar dhe që ishte në mjerim, si rrjedhojë e pushtimit të gjatë nga fashistët dhe nazistët. U jemi borxhllinj e mirënjohës. Prandaj urojmë nga thellësia e shpirtit për të patur e gëzuar vetëm ditë të bardha, të lumtura dhe të forcohet e të mbahet fort e më fort, në përjetësi respekti, dashuria ndaj njëri-tjetrit, të mos dëmtojmë të tjerët, kushdo qofshin, kur janë të pafaj.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit