Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Enver Sekiraqën me 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.
Sekiraqës do ti llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
I akuzuari Sekiraqa detyrohet që të paguajë shpenzimet procedurale aq sa do të bëhen sipas llogarisë përfundimtare të kësaj gjykate, për paushall gjyqësor shumën prej 200 euro dhe 50 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Pala e dëmtuar u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil ndërsa palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.
Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.