Kryetari i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se Sali Berisha me grupin e tij është kthyer në ‘rimorkio’ të prishur të ‘urbanit’ të lodhur të kryeministrit Rama. Foli për program konkret dhe qeveri në hije që do të prezantohet shumë shpejt.
“Kemi propozuar reformën zgjedhore me 4 kolona; listat e hapura, votimin elektronik, Shqipëria një zonë dhe votën e diasporës. Kjo duket kush e bën këtë betejë për shqiptarët dhe kush është kthyer në rimorkio të urbanit të prishur të Edi Ramës.
I lodhur urbani, edhe më e lodhur rimorkio. E prishën komisionin e reformës zgjedhore për të ndërtuar një tjetër celulë 3-3. Nuk pranuan një komision me të drejta të garantuara dhe transparencë ndaj medias. Çfarë ka ndodhur? Asgjë.
Sepse janë futur në moçalin e vesit të kësaj qeverie të korruptuar për të mbajtur listat e mbyllura dhe pa asnjë objektiv politik. Asnjë shqetësim për fatin e opozitës dhe Shqipërisë. Votojnë një amnisti që liron të korruptuarit dhe mban peng protestuesit. Mbyllin komisionin e reformës elektorale, sepse Rama kërkon që të mbajë këtë sistem.
Këta janë sëmundja e PD-së. Qëllimi ynë është largimi i kësaj qeverie dhe zëvendësimi me një qeverisje që Shqipëria nuk e ka njohur, që është e gatshme të ofrojë që sot platformën për ndryshim dhe ka vullnetin që të paraqesë ekipin që i del zot këtij programi” tha ai.