Ish-Kryeministri Sali Berisha ironizoi mbrëmjen e kësaj të marte pasardhësin e tij Edi Rama se në dy orë monolog bëri gjithçka, përdori çdo demagogji, çdo mashtrim vetëm e vetëm ta paraqiste veten të paimplikuar. Gjatë fjalës së tij Berisha u shpreh se Rama në 120 minuta që ka folur “nuk ka besuar asnjë fjalë, asnjë fjali të vetme nga ato që ka thënë”.
“Denoncimet tuaja, guximi juaj, thyerja e barrikadave, mposhtja e Dumanit, të gjitha këto e detyruan Edi Ramën të bëjë atë që nuk e ka bërë kush kurrë, një monolog 120 minutash, filloi me vjedhjen, mbaroi me vjedhjen, vetëm e vetëm për të mundur të shpëtojë krimit dhe vjedhjeve që ka bërë. Miqtë e mi, unë e ndiqja në ekran dhe shihja fytyrat e tyre si tërhiqnin veshët, si skërmisnin thonjtë, si shkulnin flokët gjatë fjalës së tij hajdutët e Ali Babës të ulur përballë tij.
Edi Rama në dy orë monolog bëri gjithçka, përdori çdo demagogji, çdo mashtrim, çdo gënjeshtër, vetëm e vetëm ta paraqiste veten të paimplikuar. Edi Rama, sot ke folur 120 minuta dhe në bindjen time më të thellë nuk ke besuar asnjë fjalë, asnjë fjali të vetme nga ato që ke nxjerrë. A nuk erdhe ti në pushtet në vitin 2013 si i vetmi qeveritar që thirreshe rëndom mister 20 përqindëshi?
Po Edi, po e mbyll me mister 100 përqindëshi. A nuk erdhe ti Edi Rama në pushtet me sarajet e Surrelit, 5 mijë metër katror oborrin park rreth sarajeve, në një kohë kur në ILDKP kishe deklaruar gjithsej 3800 euro dhe 400 mijë lekë? A nuk ishte ky një frymëzim për të gjithë hajdutët e serës tënde që njëlloj si ti të përdornin paratë publike për motele, hotele, banesa, resorte e pallate?” – tha Berisha.