Hakerët rus kanë sulmuar faqet e institucioneve të Kosovës, të cilat gjatë ditës nuk kanë qenë në funksion. Sipas njoftimit nga qeveria, cak i sulmeve ka qenë faqja e Presidencës dhe Kryeministrisë, të cilat edhe janë rikthyer shpejt në funksion.
Këto faqe janë sulmuar, siç ka njoftuar për RTKLive, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pas deklaratave që ai i ka dhënë kundër Rusisë.
“Ky grup i hakerëve rus ka zhvilluar sulm kibernetik kundër Kosovës si hakmarrje ndaj deklaratës time në mbështetje të Ukrainës”, ka deklaruar Maqedonci, i cili ka qëndruar në Poloni në Konferencën e mbrojtjes “Defense 24”.
Në reagimin e hakerëve rusë përmendet fjalimi i ministrit Maqedonci, i cili ka thënë, sipas tyre, se “Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmë ushtarake Ukrainës”.