Mes polemikave të shumta dhe deklaratave të kryeministrit grek, Edi Rama nuk lëviz nga qëndrimi për të shkuar në Athinë në një takim me shqiptarët në 12 Maj. Por gazeta greke “Protothema” ka zbardhur detaje nga takimi që kryeministri Edi Rama do të zhvillojë në Athinë me emigrantët shqiptarë më 12 maj.
Nga të dhënat e deritanishme, gazeta greke shkruan se “SEF (stadiumi i paqes dhe i miqësisë) duket se është vendi më i mundshëm për Ramën, pasi ka pasur negociata intensive mes ambasadës shqiptare në Athinë dhe drejtuesve të Stadiumit për sallën ku mund të mbajë fjalimin kreu i qeverisë shqiptare”, raporton media greke.
“Qeveria greke do të donte të shmangte imazhin e një “feste” në një ambient të hapur, duke qenë se skenarë qarkullonin edhe për sheshin Sintagma” vijon më tej shkrimi.
Mitsotakis ka deklaruar se nuk dëshiron një takim të pakontrolluar, prandaj preferon një zonë të mbyllur, e cila mund të monitorohet. Gazeta greke ndër të tjera shkruan se qeveria greke nuk mund ta ndalojë vizitën e kryeministrit shqiptar.