Presidenti Joe Biden ka paralajmëruar Izraelin se SHBA do të ndalojë furnizimin me disa armë nëse nis një operacion të madh tokësor në qytetin Rafah të Gazës.
“Nëse ata hyjnë në Rafah, unë nuk do të furnizoj armët që janë përdorur historikisht për t’u marrë me Rafah,” tha ai gjatë një interviste për CNN.
Ai shtoi se do të “vazhdojë të sigurohet që Izraeli të jetë i sigurt”.
Pavarësisht kundërshtimit të fortë dhe të zëshëm të SHBA-së, Izraeli duket i gatshëm të kryejë një pushtim në shkallë të gjerë të Rafahut.
Pjesa e mbingarkuar e Gazës jugore është bastioni i fundit i madh i Hamasit në territor. Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se një operacion në qytet – ku popullsia është shtuar me refugjatë nga pjesë të tjera të Gazës – mund të çojë në viktima të shumta civile.
“Ne nuk do të furnizojmë me armë dhe predha artilerie,” tha zoti Biden në intervistën, e cila u transmetua të mërkurën.
Ambasadori i Izraelit në OKB tha se vendi ishte “shumë i zhgënjyer” nga ndërhyrja e zotit Biden.
“Nëse Izraelit i kufizohet hyrja në një zonë kaq të rëndësishme dhe qendrore si Rafah, ku ka mijëra terroristë, pengje dhe udhëheqës të Hamasit, si duhet t’i arrijmë saktësisht qëllimet tona?” tha ai në radion publike.
Zoti Biden i tha CNN se SHBA nuk e përkufizuan situatën aktuale në Rafah si një operacion tokësor. “Ata nuk kanë shkuar në qendrat e popullsisë. Ajo që ata bënë është pikërisht në kufi,” tha ai.
“Por ia kam bërë të qartë [Kryeministrit izraelit Netanyahu] dhe kabinetit të luftës, se ata nuk do të marrin mbështetjen tonë, nëse në fakt ata shkojnë në këto qendra të popullsisë.”