Mediat greke kanë deklaruar se vendi ku do të mbahet fjalimi i kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Greqi është Galatsi.
Shkrimi i medias greke:
Në Galatsi do të zhvillohet tubimi ku kryeministri shqiptar Edi Rama do t’i drejtohet bashkatdhetarëve.
Sipas informacioneve të transmetuara nga televizioni MEGA, tubimi do të zhvillohet në stadiumin e brendshëm të zonës. Sipas të njëjtave informacione, leja është dhënë nga Shoqëria Shtetërore e Pasurive të Paluajtshme dhe marrëveshja është mbyllur nga personi privat që administron objektet olimpike në Galatsi.
Qëndrimi i qeverisë
Më herët, zëdhënësi i qeverisë vuri në dukje se qeveria greke është informuar për vizitën e Ramës – e cilësuar si private – të martën, më 7 maj. Vihet re se gjatë intervistës së tij në faqen protothema.gr, kryeministri Kyriakos Mitsotakis i është referuar vizitës në fjalë, duke theksuar se “ndoshta është e panevojshme”, megjithëse siç theksoi ai qeveria as nuk do ta ndalojë, as nuk do ta lehtësojë një ngjarje ku merr pjesë kryeministri shqiptar Rama.
“Nuk është një vizitë, do të thosha, me karakteristika dypalëshe. Ai vjen, e kuptoj, për të folur me bashkatdhetarët e tij. Ai ka të drejtë ta bëjë këtë. Përtej kësaj, mendoj se edhe ky është një opsion që në situatën aktuale, në funksion të zgjedhjeve europiane, më duket mjaft i panevojshëm”, tha kryeministri grek në mënyrë karakteristike dhe vazhdoi: “Qeveria greke nuk mundet, ne jemi demokraci. Ne nuk e ndalojmë të drejtën e tubimit e cila është e mbrojtur me kushtetutë, kështu që nuk i kushtoj aq rëndësi.”