Institucionet gjyqësore në Malin e Zi ende nuk i kanë hetuar dhe dokumentuar krimet e luftës të ndodhura gjatë viteve ’90, dhe se përgjegjësitë për këto krime nuk janë vendosur në përputhje me standardet ndërkombëtare, thotë ish anëtari i Këshillit Gjyqësor të Malit të Zi dhe avokati Loro Markiqi, i cili konsiderohet si njohës i mirë i këtyre çështjeve.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Markiqi e sheh si të domosdoshme ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, por megjithatë ai mendon se pa një vullnet politik të strukturave shtetërore dhe gjyqësore të Mali të Zi vështirë është të arrihet ndonjë përparim i dukshëm në këtë drejtim.
Ekspertët thonë se institucionet gjyqësore në Malin e Zi ende nuk i kanë hetuar dhe dokumentuar krimet e luftës të ndodhura gjatë viteve ’90 dhe se përgjegjësitë për këto krime nuk janë vendosur në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ish anëtari i Këshillit Gjyqësor të Malit të Zi dhe avokati Loro Markiqi, i cili konsiderohet si njohës i mirë i këtyre çështjeve, vë në dukje mungesën e vullnetit politik për gjykimin e drejt të këtyre rasteve.
“Vullneti politik për të ndjekur penalisht krimet e luftës dhe kriminelët e luftës ka munguar. Sidomos nuk ka pasur vullnet për t’i ndjekur kriminelët e luftës që bënë krime kundër shqiptarëve, sepse ndaj popujve tjerë ka qenë më ndryshe. Për këtë fajin nuk e ka vetëm gjyqësia, por edhe policia e prokuroria. Shpesh ka ndodhur që t’i akuzojnë njerëzit e gabuar me qëllim që ata më pastaj të lirohen si të pafajshëm”, tha zoti Markiqi.
Në këtë kuadër zoti Markiqi fajëson edhe faktorin politik shqiptar, i cili sipas tij nuk shfaqi ndonjë gatishmëri të duhur në parandalimin ose në nxitjen e disa proceseve gjyqësore ndaj komunitetit shqiptarë./VOA