Komiteti i Ministrave në Këshillin e Evropës nuk do të diskutojë për Kosovën në mbledhjen që pritet të mbajë gjatë kësaj jave. Në një përgjigje për KOHËN nga zyra për media e këtij institucioni është thënë se nuk mund të ndajnë më shumë informacione në këtë fazë.
“Kosova nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave javën e ardhshme. Nuk kemi më shumë informacion në këtë fazë”, thuhet shkurtimisht në përgjigjen e KiE-së.
Sipas axhendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në kuadër të 75-vjetorit të Organizatës.
Axhenda do të përfshijë masat që KiE-ja po vazhdon të marrë në përgjigje të agresionit të plotë të Federatës Ruse kundër Ukrainës, zbatimin e Deklaratës së Rejkjavikut (miratuar në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në 2023) dhe miratimin të një Konvente Kuadër për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e Ligjit.