Mënyra se si shoqëria kosovare i kujton viktimat dhe heronjtë e luftës nuk i bën nder askujt. Kjo qasje duhet të ndryshojë
Në fund të nëntorit të vitit 2020 në një qendër tregtare të një qyteti të rëndësishëm kosovar u zbulua shtatorja e Adem Jasharit. Një mistri, gjashtë thasë çimento, rërë, poliester dhe ngjyra – këto iu deshën një frizeri për ta “përjetësuar” Adem Jasharin. Mirë e lexuat: autori i shtatores punonte frizer me orar të rregullt, siç shkruante atëherë “Koha Ditore”. Ai kishte treguar se “për pasion ka punuar shtazë dhe shpezë si skulptura”, ndonëse s’ishte skulptor me profesion.
Njëkohësisht me zbulimin e përmendores së Adem Jasharit, në Prizren – ky është ai qyteti i rëndësishëm kosovar – u shpalos edhe një përmendore e Skënderbeut, e cila u vendos te vendi që njihet si “Rrethi i Ben-afit”. Një shoqatë pagoi 70 mijë euro për këtë përmendore, e cila atëbotë nga mbrojtës të hapësirës publike u kritikua si vepër e realizuar dobët. Menaxheri i qendrës tregtare në Prizren tha: “…e kemi porositur shtatoren” e Adem Jasharit. Tingëllonte si porosi në Ali Express.
Jemi në pranverën e vitit 2024 dhe në kulmin e sezonit të përkujtimeve. Të pashmangshëm në këto takime e tubime janë politikanët dhe politikanet. Të pushtetit dhe të opozitës. Garë e madhe përkujtimore, e cila në muajt në vijim mund të marrë përmasa edhe më të gjera, pasi që ky vit është paralajmëruar si “vit zgjedhjesh parlamentare”. Nuk ka limit, as etikë në këto përkujtime. Ka vetëm keqpërdorim të sakrificës së njerëzve për pazare elektorale. Ka formë, nuk ka përmbajtje. Ka histeri, nuk ka histori.
Rreth 70 ditë të vitit politikanët e Kosovës i kalojnë në tubime përkujtimore. Cili është qëllimi? Për të ndukur ndonjë votë. Ky është qëllimi. Në Kosovë dhe diasporë. Meqë nuk ka kritere të qarta se kush është hero, kush dëshmor, kush martir, kush viktimë civile, është krijuar një tollovi nocionesh dhe një kakofoni nderimesh sa për sy e faqe. Përmendore e buste të realizuara pa kurrfarë shije estetike. Rrugë të emërtuara njëra pas tjetrës jo sipas rëndësisë që dikush ka në histori, por sipas interesave të momentit elektoral. Pastaj këtu hyn edhe përçarja tashmë e etabluar sipas përkufizimit: heronjtë tanë dhe heronjtë e atyre.
Si mund të ndërpritet ky trend? Ndoshta ky trend ndryshon kur familjet e heronjve dhe të viktimave vendosin t’i mbrojnë më të dashurit e tyre nga keqpërdoruesit dhe nga keqpërdorimi për qëllime politike. A vjen ajo ditë? Do të duhej të vinte. Gjendja si deri më tani është për keqardhje. Sepse viktimat e luftës së Kosovës janë shndërruar në monedhë për kusuritje elektorale. A thua çfarë nderimi i bëhet të vdekurve të pavdekshëm nëse gjatë gati 25 vjetëve të kaluar qeverisjet e dobëta gjer në ditën e sotme kanë ndikuar që të afërmit e heronjve të braktisin Kosovën për shkak të skamjes?
Ndodhin situata absurde: duke parë mungesën e çdo kriteri në nderimin e të rënëve, duke parë “përkujtime me të njofshëm”, ka familje që me ton ultimativ u drejtohen zyrave të shtetit me kërkesë që filani të shpallet jo më pak se hero i Kosovës, ndonëse është vetëm viktimë civile. Faji për këtë situatë bie në radhë të parë mbi pushtetet e derisotshme që e kultivojnë këtë trend. Por një pjesë të përgjegjësisë e kanë edhe familjet: nuk duhet të lejojnë që çdo pranverë bijtë dhe bijat e tyre të nxirren simbolikisht nga varret për parada elektorale. Mbroni ata, mbrojeni veten nga politikanët votëkërkues dhe shtetpërbuzës.
Nuk kemi një muze që meriton këtë emër mbi luftën e fundit. Kemi improvizime në të ashtuquajtura muze ku mbretëron atmosferë si në dyqanin e lagjes. Nuk kemi ende një libër serioz që dokumenton krimet. Nuk kemi shifra të sakta për viktimat, dëmet e luftës, dëmet në ekonomi, arsim etj. Kemi kacagjela që pretendojnë se i dinë të gjitha dhe rrjedhimisht nuk dinë asgjë. Kujdes nga politikanët dhe politikanet në muajt në vijim. Nuk do t’i gjeni duke kryer punët për çfarë janë zgjedhur. Do t’i gjeni duke e përsëritur ritualin e njëjtë 25-vjeçar të zbulimit të përmendoreve, emërimit të rrugëve, shpalosjes së busteve. Mos shkoni në shfaqjet e tyre elektorale!
Më 10 qershor 2024 bëhen 25 vjet nga çlirimi i Kosovës. Ata që u lindën në vitet e para të pasluftës, tashmë janë shtetas të Republikës, qytetarë me të drejtë vote. Ata dhe të gjithë të tjerët gjatë dy dekadave të fundit kanë qenë dëshmitarë se si kujtimi për vuajtjet në luftë është ritualizuar. Po aq sa është ritualizuar edhe lartësimi i atyre që patën më shumë guxim se të gjithë të tjerët dhe luftuan për çlirimin e vendit. Kosovës i duhet një ditë për kujtimin e viktimave. Le të hiqet njëra nga ato ditët e tepërta që e ngarkon “kalendarin festiv” gjatë vitit.
Në atë ditë duhet të flasin viktimat. Jo politikanët. Jo cinikët e çarshisë. Jo yjet e rrejshme publike. Zhurma e tyre e mbyt zërin e viktimave gjatë gjithë vitit. Në një mbledhje solemne të parlamentit çdo vit mund të ftohej një figurë që ndan me opinionin përvojat e së kaluarës së hidhur. Folësi mund të jetë viktimë, mund të jetë edhe dikush që u ka ndihmuar viktimave. Për shembull një shqiptar nga Kukësi, Kërçova apo Korça që u ka ndihmuar refugjatëve të Kosovës më 1999. Mund të ftohet një mjek që u ka ndihmuar të plagosurve në luftë.
Ndonjë punëtor i Shoqatës “Nënë Tereza”. Një dinjitar fetar që u ka qëndruar afër viktimave. Një arsimtar që ka mbajtur mësim edhe në kushte lufte në zonat e luftës. Shoqërisë kosovare i duhet kjo perspektivë e rrëfimit, jo fjalimet boshe të politikanëve që bëhen patriotë para zgjedhjeve me shpresën se pas zgjedhjeve do të kthehen në pushtet dhe vazhdojnë vjedhjen aty ku e lanë. Boshllëku i fjalimeve të politikanëve duhet të ndalet me fjalime personale dhe emocionale të viktimave, sepse kësisoj e përjetuara bëhet e prekshme dhe e imagjinueshme për gjeneratat e sotme.
Nëse s’ndryshon asgjë në të ardhmen e afërt, avazi i vjetër do të vazhdojë kështu: përmendore, pllaka përkujtimore, pllaka të mëdha përkujtimore, pllaka të vogla përkujtimore, përmendore të mëdha me heronj të vegjël, heronj të mëdhenj me kuaj të vegjël, kuaj të mëdhenj me heronj të zvogëluar, statuja, buste, shtatore, bulevarde heronjsh, sheshe të vogla me nga dy emra viganësh të historisë, tubime rutinore, vjersha patetike, këngë të përvajshme, trima që s’mund të kundërshtojnë ndërsa i vendosin mbi tanke imagjinare, në gati çdo kthesë emra të keqpërdorur dëshmorësh, ngrehina bronzi me e pa armë që duken si lodra plastike, fjalime të stërpërsëritura, muze pa koncept, prezantime shkel e shko, libra që keqpërdorin të kaluarën për arsye komerciale, garë mes qytetesh e garë mes katundesh: kush ka më shumë përmendore dhe kush e ka më të madhe përmendoren. Rezultati? Mungesë respekti ndaj të rënëve, tallje me të gjallët. Dhe përshkëllirje e historisë duke tentuar lartësimin e saj./ KOHA