Në mesnatë ish-drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie, pasi akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave të sistemit TIMS dëshmoi në komisionin hetimor ‘TIMS’.
Ish-drejtori i IT-së u fut i shoqëruar nga policia e Shtetit, ndërsa mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura. Kreu i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, kanë dëshmuar këtë të mërkurë në Komisionin Hetimor për TIMS-in.
Rrumbullaku kërkoi që dëshmia e tij të bëhej me dyer të mbyllura pasi tha se kishte të dhëna sensitive. “Kërkesa ime të hidhet në votim, unë jam gati të përgjigjem për të gjitha. Në sistemin TIMS, kemi të bëjmë me ndërhyrje të paautorizuara dhe mos respektim të procedurave.
Në këtë aspekt kam kryer të gjitha kompentencat e mia ligjore”, tha Rrumbullaku, kërkesa e të cilit u hodh në votim nga kryetari i këtij Komisioni , Ervin Salianji dhe u aprovua.